Kryetari i Komunës së Zveçanit, Ilir Peci ka reaguar pas shpërthimit të granatës në mesnatë në një nga zyret e Postës së Kosovës në këtë komunë. Peci ka dënuar ashpër sulmin, ndërsa thotë se ka vetëm dëme materiale.
Kryetari Peci e ka cilësuar sulmin me granatë si “një provokim të rrezikshëm dhe vepër të organizuar teroriste kundër qetësisë dhe stabilitetit në komunë”.
“Ky sulm është një tentativë e qartë për të destabilizuar rajonin dhe për të shkaktuar frikë te qytetarët. Autorët duhet të gjenden dhe të paraqiten përpara drejtësisë”, ka shkruar mes tjerash Peci në Facebook.