Filharmonia e Kosovës përmes një shkrimi kujton sot pedagogoun, kompozitorin, dirigjentin dhe etnomuzikologun Lorenc Antoni në 31 vjetorin e vdekjes.
Lorenc Antoni ishte një prej personaliteteve më të çmuara të muzikës dhe figurave më emblematike të kulturës shqiptare në Kosovë. Kompozitor i këngëve të para në literaturën e muzikës artistike në vend “Në breg të liqenit”, “Lamtumirë”, i veprave korale dhe atyre orkestrale si “Na ka dalë nusja e mirë”, “Në Prizrenin e vjetër”, “Malësorja”, “Në Prizrenin e bukur” etj.
Në fushën e studimit të folklorit, Lorenc Antoni mblodhi dhe botoi shtatë vëllime të muzikës popullore shqiptare të Kosovës, Maqedonisë dhe Malit të Zi.
Opusi krijues dhe gjuha muzikore e Lorenc Antonit i përkasin stilit nacional dhe kjo vjen si rezultat i përdorimit të elementeve të muzikës popullore të cilat mund të identifikohen mjaft lehtë dhe na vijnë të shtjelluara bukur mirë në invencionin kreativ të tij.
U lind në Shkup (1905). Si fëmijë aktivizohet në ansamble të ndryshme muzikore të shqiptarëve. Ka studiuar në Fakultetin Filozofik në Shkup derisa edukimin muzikor e mori privatisht në Shkup dhe Beograd. U nda nga jeta me 21 tetor të vitit 1991 në Prishtinë.
/Gazeta Express