Artistja spanjolle me famë botërore, Rosalía, është përfshirë në një polemikë të madhe pas një performance të papritur në zemër të Madridit, e cila për pak sa nuk u kthye në kaos total.
Sipas mediave spanjolle, këngëtarja 33-vjeçare rrezikon një gjobë deri në 600,000 euro për shkelje të rregullave të qarkullimit dhe përdorimit të hapësirave publike pa leje.
Gjithçka ndodhi të mërkurën pasdite në sheshin Callao, një nga zonat më të frekuentuara të kryeqytetit spanjoll, ku Rosalía kishte paralajmëruar në TikTok një “surprizë të madhe” për fansat e saj. Pa dhënë shumë detaje, ajo publikoi një video ku ftonte ndjekësit që të mblidheshin në qendër të Madridit për një moment “të paharrueshëm”.
Rezultati? Qindra, madje mijëra adhurues mbërritën në sheshin Callao brenda pak minutash, duke shkaktuar bllokim të plotë të trafikut dhe kaos të përkohshëm në disa rrugë përreth zonës. Pamjet tregojnë Rosalían duke mbërritur me një automjet luksoz, e detyruar të ndalojë në mes të rrugës për shkak të turmës së dendur që e rrethoi menjëherë.
Sipas raportimeve të gazetës El Mundo, këngëtarja më pas vrapoi drejt një hoteli përballë sheshit, ku doli nga një dritare e katit të parë për t’u përshëndetur me fansat e saj që brohorisnin pa pushim. Në sfond, në një ekran gjigant LED, po transmetohej prezantimi i kopertinës së re të revistës “LUX”, në të cilën Rosalía shfaqej si protagoniste. Ngjarja u filmua nga dhjetëra telefona dhe viralizoi rrjetet sociale në pak minuta.
Megjithatë, festa nuk zgjati shumë. Autoritetet e Madridit ndërhynë menjëherë për të rivendosur rendin dhe lëvizjen e automjeteve, ndërsa Policia Bashkiake nisi një hetim zyrtar për të verifikuar nëse artistja dhe stafi i saj kishin marrë lejen për organizimin e një performance publike në një hapësirë të tillë.
“Institucionet përkatëse nuk kanë marrë asnjë kërkesë zyrtare për ndonjë aktivitet në atë zonë,” deklaroi Borja Carabante, përfaqësues i autoriteteve të transportit të Madridit. Ndërkohë, nënkryetarja e bashkisë, Inma Sanz, theksoi se nëse konfirmohet mungesa e autorizimit, do të aplikohen gjobat më të larta të parashikuara nga ligji, që mund të arrijnë deri në 600 mijë euro.
Sipas Cadena SER, policia e përshkroi incidentin si “një ngjarje krejtësisht spontane dhe e paparalajmëruar”, duke pranuar se oficerët e saj “mësonin për ngjarjen në kohë reale nga videot në rrjetet sociale”. Për fat të mirë, nuk raportohet për persona të lënduar, megjithëse disa drejtues automjetesh kanë shprehur pakënaqësi për bllokimin e trafikut që zgjati më shumë se 40 minuta.
Në rrjetet sociale, mendimet janë të ndara. Ndërsa fansat e Rosalíës e përshkruajnë ngjarjen si një “moment magjik dhe i papritur”, shumë qytetarë të Madridit e kanë kritikuar artistën për “mungesë përgjegjësie dhe arrogancë tipike të VIP-ave”.
Derisa hetimet vazhdojnë, Rosalía nuk ka reaguar publikisht mbi situatën. Për momentin, përfaqësuesit e saj kanë refuzuar të japin komente, duke lënë në pritje fansat dhe mediat se si do të përfundojë kjo histori që mund t’i kushtojë këngëtares një shumë marramendëse – dhe një goditje të madhe imazhit të saj në Spanjë. /GazetaExpress/