Qeveria në detyrë ka refuzuar të japë dorëheqje një ditë para certifikimit të rezultateve siç edhe e parasheh ligji. Sipas Kurtit qeveria e tyre e ka përfunduar mandatin më 23 mars “pa pasur nevojë për aktin shtesë dhe formal të dorëheqjes”. Por një gjë e tillë u kundërshtua nga opozita dhe njohës të çështjeve juridike. A po e shkel Kurti Kushtetutën?
Gazeta Express
Më 27 mars Komisioni Qendror i Zgjedhjeve certifikoi rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit. Në letrën që kreu i KQZ’së, Kreshnik Radoniqi, ia kishte dërguar një ditë më herët partive, përmendej paragrafi i parë i nenit 26 të Ligjit për Qeverinë e Republikës së Kosovës.
Aty thuhet se “në rast se anëtari i Qeverisë në detyrë zgjidhet deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, i njëjti duhet të jap dorëheqje nga posti i anëtarit të Qeverisë para ditës së certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve”.
Një obligim i tillë nuk u përfill nga anëtarët e Qeverisë Kurti 2.
Ditën e certifikimit, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se qeveria e tij ka përfunduar mandatin më 23 mars “pa pasur nevojë për aktin shtesë dhe formal të dorëheqjes prej posteve të tyre përkatëse”.
“Me 23 mars 2025, mandati i plotë katërvjeçar i Qeverisë së Republikës së Kosovës, të udhëhequr nga unë si Kryeministër, përfundoi zyrtarisht dhe kaloi në fazën kalimtare të funksionimit si qeveri në detyrë, e cila efektivisht është sikur qeveria në dorëheqje e mandateve të mëhershme të të tjerëve. Kjo është hera e parë që një Qeveri e Republikës së Kosovës ka përfunduar me sukses mandatin e plotë kushtetues, duke shënuar një kapitull të ri të stabilitetit institucional në Republikën tonë demokratike”.
Kurti tha se në këtë rast, Ligji parasheh që “Qeveria dhe të gjithë anëtarët e saj vazhdojnë të kryejnë detyrat e tyre, duke respektuar plotësisht kufizimet e parashikuara nga neni 30 të Ligjit të lartcituar, si dhe kërkesat e Kushtetutës së Republikës së Kosovës”.
“Deri në zgjedhjen e Qeverisë së re nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, Qeveria jonë (që në popull quhet Kurti 2) do të ushtrojë të gjitha përgjegjësitë që i takojnë pushtetit ekzekutiv në përputhje me legjislacionin në fuqi. Kjo e vendos Qeverinë në një rol kujdestar, për të garantuar vazhdimësinë, sigurinë dhe funksionimin e pandërprerë të shtetit, në zbatim të Kushtetutës dhe ligjeve. Ju faleminderit për mbështetjen”, ka shkruar Kurti.
Po atë ditë, Eugen Cakolli nga KDI në një përgjigje për Express ka thënë se meqë Kurti po konstaton vetë që mandati i qeverisë ka përfunduar me datë 23 mars, atëherë i bie që ai është dashur të japë dorëheqje ditën e djeshme (27 mars).
“Në aspekt të vetë dorëheqjes është neni 28, 29, 30, 31 që flasin për mandatin dhe qeverinë, mandatin dhe dorëheqjen, para tyre është neni 26 qe thotë se anëtarët e Qeverisë në detyrë, në statusin që e kanë sot, ministrat dhe vetë kryeministri, duhet të japin dorëheqje. Meqë Kurti po konstaton që mandati ka përfunduar më 23 mars, i bie që ai dje është dashur të japë dorëheqje, dhe jo që ta lërë këtë çështje në kuadër të diskrecionit të tij për qeveri kalimtare. Sepse qeveria si e tillë, përkatësisht vetë kryeministri dhe deputetët tjerë që kanë pasur poste ministrore, kanë papajtueshmëri të mandatit nëse shkojnë në Kuvend duke mbajtur dy mandatet, edhe atë të ministrit. Prandaj ka qenë në diskutime për ligjin për qeverinë, që të shtohet kjo dispozitë, që t’iu kërkohet anëtarëve të qeverisë të japin dorëheqje, jo pra që të përmbyllet mandati i tyre, sepse dispozita flet për qeverinë në detyrë apo dorëheqje, që të njëjtit duhet të japin efektivisht dhe formalisht dorëheqje, duke mos e lënë vetëm në kuadër të përfundimit të rregullt ta mandatit”, ka thënë Cakolli për Express.
Ai ka thënë se kjo s’ka pasoja ligjore meqë është vetëm çështje administrative.
”Fatkeqësisht kjo çështje është administrative, që s’prodhohen pasoja ligjore, por që gjatë verifikimit të mandateve në Kuvend, kur të jepet betimit, unë besoj që Komisioni përkatës në kuadër të kontrollit, duhet të verifikojë edhe këtë aspekt dhe të shohim nëse të njëjtit kanë papajtueshmëri të mandatit, siç unë besoj është rasti në këtë situatë”, ka thënë ai.
Mbrëmë, Përparim Gruda nga PDK, në Pressing të T7 tha se kryeministri dhe ministrat po qëndrojnë në detyrë “në mënyrë jokushtetuese”.
“Ministrat dhe kryeministri po rrinë në detyrë në mënyrë jokushtetuese. Kushtetuta thotë mandati i deputetit nis në momentin e certifikimit dhe thotë mandati i deputetit është i papajtushëm me mandatin e ministrit e kryeministrit. Nuk mundesh në të njëjtën kohë me kanë ministër, kryeministër dhe deputet”, tha Gruda në Pressing.
I pyetur a e ka shkelur Kushtetutën Kurti, Gruda është shprehur, “absolutisht… ” duke thënë se “Kushtetuta është shumë e qartë dhe se ligji për qeverinë vetëm e ka zbërthy më tutje nenin që ekziston në kushtetutë për të cilin edhe Venecia ka thënë se është mirë, komisioni Venecias e ka thënë edhe kjo qeveri e ka miratu jo na, as s’i ka pengu Gjykata Kushtetuese…”.
Gruda ka bërë një paralajmërim.
“Ky do të jetë një problem në seancë konstituive. Ai komisioni i përkohshëm që i verifikon mandatet do ta ketë problem të thotë se Albin Kurti dhe Ministrat e tij kanë mandat të vlefshëm. Ky do të jetë një nga problemet e seancës konstituive”.
“Kjo do të thotë se ai komision e ka zor me thënë se këta deputetë kanë mandat të vlefshëm dhe hajde ta bëjmë betimin” shton ai.
Sipas tij, Kryetari i Kuvendit duhet të ketë kujdes bashkë me komisionin për verifikim të mandateve që në ditën e seancës konstituive, konsituimi të ndodhë në mënyrë kushtetuese.
“ Nëse njerëzit që mbajnë pozitat e ministrave dhe Kurti të kryeministrit betohen edhe si deputetë, unë mendoj që ai betim mund të ketë probleme kushtetuese, s’po dua ta paragjykoj tani, këto duhet t’i eliminojë Kryetari i Kuvendit” ka theksuar Gruda.
Deputeti i zgjedhur I PDK’së që është jurist me profesion e ka komentuar edhe një deklaratë të Presidentes.
“Presidentja që ta sqarojmë për publikun ka rol tërësisht pasiv në konstituimin e Kuvendit, vetëm e thirrë seancën e parë, nuk ka të drejtë me thonë unë do të sigurohem që funksionin ose s’funksionon. Atë e bëjmë ne që jemi zgjedhur si deputetë. Po ashtu ka rol edhe me rastin e nominimit të kandidatit për kryeministër herën e parë. I vetmi rol aktiv që Kushtetuta jonë ia njeh presidentit ose presidentes së Kosvoës është në rundin e dytë, është një koncept aty në Kkushtetutë dhe që është bartur në aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese që të kujdeset që vendi mundësisht mos të shkojë në zgjedhje” ka thënë ai.
“Por prapë ka një interepretim të gabuar që bëhet që zakonisht, është me i siguru nënshkrimet …te presidentja…, ajo nuk lejohet në asnjë vend, sepse vota e deputetit është e lirë dhe nuk mundesh me thonë, filani voton kështu, fisteku kështu sepse ajo do të ishte mandat i detyruyeshëm që ka qenë në kushtetutat e ish vendeve komuniste është quajt mandat i detyrueshëm”, ka vlerësuar Gruda.
Ndryshe, gjatë mbledhjes së 27 marsit, KQZ ka treguar rezultatet përfundimtare dhe renditjen e partive.
‘‘Lidhur me certifikimin e rezultatit përfundimtar, Lëvizja Vetëvendosje me 42.30%, Partia Demokratike e Kosovës me 20.90%, Lidhja Demokratike e Kosovës me 18.27 për qind, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe NISMA 7.06 për qind, Lista Serpska 4.26 për qind’’, ka thënë ai.
Anëtarët e VV’së në KQZ, Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi, kanë votuar kundër certifikimit të këtyre rezultateve. Kurteshi ka thënë se ka përshtypjen që ankesat e tyre dhe provat që kanë ofruar s’janë shqyrtuar fare nga PZAP dhe Gjykata Supreme dhe ka thënë se do të ankohen në Kushtetuese për të kërkuar masë të përkohshme për votat e diasporës.
Në momentin që rezultatet janë certifikuar ka filluar rrjedha e afatit 30 ditor për thirrjen e seancës konstituive. Kjo është detyrë e presidentes. Bekim Kupina, këshilltar për Media i presidentes ka thënë se seanca konstituive do të thirret brenda afatit kushtetues.
“Seanca konstituive e Kuvendit të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit do të thirret nga presidentja Osmani brenda afatit kushtetues”, ka thënë Kupina. /GazetaExpress/