string(96) "kurti-me-vetbesimin-e-kryeministrit-te-te-gjithe-shqiptareve-sheq-dore-nga-interferimet-ne-rajon"

Kurti me vetëbesimin e “kryeministrit të të gjithë shqiptarëve”, s’heq dorë nga interferimet në rajon

Lajme

Gazeta Express

16/08/2023 15:29

Garoi në Shqipëri, intervenoi në Luginë dhe ia dha një dorë opozitës shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti duket se e intrigon pjesëmarrja në skenën politike shqiptare në shtetet përreth, në çfarëdo mënyre.

Gazeta Express

Lexo Edhe:

Kryeministri Albin Kurti beson se e di se për çfarë subjekte politike kanë nevojë shqiptarët në rajon. Për këtë çështje ka folur jo pak herë – për shembull, në dhjetor të vitit të kaluar kur e uronte Arben Taravarin që sapo ishte zgjedhur kryetar i Aleancës për Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.

Kurti arriti t’i bënte për vete shumicën e votuesve në Kosovë dhe mbështetja e madhe duket se e cyti atë të shihte përreth si nga froni i një triumfuesi që mund të ishte i tillë edhe më gjerë.

Në Shqipëri

Me imazhin e politikanit i cili do bashkim kombëtar dhe me vetëbesimin e rritur, Kurti në mars të vitit 2021 u bë kundërshtar politik i kryeministrit Edi Rama në Shqipëri, kur vendosi që me partinë e tij të merrte pjesë në zgjedhjet parlamentare atje. Shkoi edhe vetë për t’i bindur shqiptarët se sa e dobët e korruptuar ishte qeverisja e Ramës. Partinë e tij, Kurti e paraqiste si shpëtim për njerëzit që në shumicë e kishin votuar Ramën për kryeministër.

Fushata zgjedhore përfshiu edhe udhëtimin e ministrave të Kosovës drejt Tiranës për t’i mbështetur tre kandidatët e Vetëvendosjes për deputetë. Kurti u bë kryeministri i parë i Kosovës që votoi në Shqipëri. Por e gjithë përpjekja rezultoi e pasuksesshme dhe asnjëri prej kandidatëve të LVV-së nuk arriti ta fitonte një ulëse në Parlamentin e Shqipërisë.

Kur erdhi në Prishtinë në shtator të atij viti zgjedhor, Rama e pati thumbuar Kurtin. Në fund të një bashkëbisedimi me studentë të Universitetit të Prishtinës, i pyetur se përse s’ka në kabinetin “Rama 3”, ministra nga Kosova, Rama ishte shprehur se do të bëhej kosovar, duke nënkuptuar marrjen e nënshtetësisë. “Nuk do të vij të bëj fushatë për vota këtu. Mos të ketë frikë asnjeri. As nuk do të vij të votoj këtu”, shtonte.

Në Luginë

Më 11 prill të vitit kaluar, Kurti u angazhua pa sukses që ta shpëtonte nga rrëzimi kryetaren e Preshevës, Ardita Sinani. Atë ditë, shefi i Qeverisë i kishte mbledhur në zyrën e tij përfaqësuesit politikë të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.

Atyre u kërkonte unitet politik, duke e cilësuar shkarkimin e Sinanit si pjesë të shtypjes e diskriminimit që po u bëhet shqiptarëve atje përmes acarimit me njëri-tjetrin.

“Pas shtypjes e diskriminimit që po u bëhet shqiptarëve nuk duhet mbështetur tentimet për acarim të shqiptarëve me njëri-tjetrin, pjesë e së cilës është edhe synimi për ta rrëzuar kryetaren e Preshevës, znj.Ardita Sinani. Përçarja e ndarja janë gabim dhe bëhen dëm”, shprehej kryeministri në atë takim, duke theksuar se bashkëpunimi e rreshtimi i drejtë ndaj mbrojtjes dhe avancimit të të drejtave të shqiptarëve “nuk është vetëm nevojë por domosdoshmëri e kohës”.

Kryetari i Alternativës për Ndryshim, Shqiprim Arifi dhe kryetari i Lëvizjes për Reforma, Sami Salihu s’i kishin shkuar Kurtit në takim. Ata të dy ishin bashkuar në Kuvendin Komunal të Preshevës për t’i bërë përgatitjet e fundit për rrëzimin e Ardita Sinanit nga karrigia e kryetares, gjë që edhe ndodhi.

Kjo shënoi pikën e krisjes së madhe të marrëdhënieve ndërmjet kryetarit aktual të Preshevës, Shqiprim Arifi me kryeministrin Albin Kurti, të cilin ai e akuzon se “dëshiron ta udhëheq politikën e Preshevës”.

Partia për Veprim Demokratik duket se është subjekti politik i preferuar i Kurtit në Preshevë. Në shtator të vitit të kaluar, Kurti e emëroi Ardita Sinanin e kësaj partie këshilltare politike për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.

Edhe Besnik Bislimi, zëvendësi i Kurtit, para pak ditësh e zgjodhi një zyrtar të kësaj partie për ta bërë këshilltar të tij – Ragmi Mustafin.

Në Maqedoninë e Veriut

Një vizitë që u konsiderua private dhe u pa në kuadër të bashkëpunimit të Lëvizjes Vetëvendosje me opozitën shqiptare në Maqedoninë e Veriut, kryeministri Albin Kurti e zhvilloi të premtën atje. Nuk e takoi Ali Ahmetin, kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim – partisë më të madhe të shqiptarëve atje, me të cilin nuk ndajnë qëndrime të njëjta për shumë çështje.

Por e takoi kryetarin e Komunës së Çairit në Shkup, Visar Ganiun dhe kryetarin e Tetovës, Bilall Kasami, të dy përfaqësues të partive opozitare shqiptare: Lëvizjes Demokratike – fraksionit të dalë nga BDI-ja – dhe Lëvizjes Besa. Me këtë të fundit, partia e Kurtit ka treguar që herët njëfarë afërsie. Kasami e quajti ditë të madhe atë kur Kurti mbërriti në Tetovë dhe e konsideroi atë si kryeministër të të gjithë shqiptarëve.

“Në këtë ditë të madhe ku presim kryeministrin e Kosovës, jo vetëm të Kosovës por të gjithë shqiptarëve zotëri Albin Kurtin në Tetovë”, tha kryetari i Tetovës, i cili më pas konfirmoi mbështetjen e marrë nga Kurti për frontin opozitar shqiptar në Maqedoninë e Veriut.

“Qeveria nuk ia doli ta fsheh apo kontrollojë frikën nga humbja në zgjedhjet e ardhshme, sidomos kur në pah doli fronti opozitar i bashkuar dhe me një përkrahje nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti”, shkroi ai të dielën në Facebook.

Nga kabineti i kryeministrit Kurti nuk ishin përgjigjur konkretisht për mungesën e takimit me Ahmetin. Kishin thënë vetëm se Kurti po shkonte atje si i ftuar me rastin e riemërimit të një rruge në Shkup me emrin “Adem Demaçi” dhe inaugurimit të një segmenti rrugor Prizren-Tetovë.

Kurti tha nga Tetova se vizita ishte “kryekëput shkaku i ftesës”.

Kryetarët e partive shqiptare opozitare në Maqedoninë e Veriut, Lëvizja Besa, Alternativa dhe Lëvizja Demokratike e shkëputur së fundmi nga BDI-ja, i kanë intensifikuar takimet. Izet Mexhiti, kreu i partisë së re, Lëvizja Demokratike – fraksionit të dalë nga BDI-ja – tha se vizita e Kurtit atje ishte në funksion të thellimit të bashkëpunimit të opozitës shqiptare me Lëvizjen Vendvendosje.

Kryediplomati shqiptar i Maqedonisë së Veriut nga BDI-ja, tha se s’ishin informuar zyrtarisht për vizitën e Kurtit, duke thënë se “me shumë gjasë ai nuk është duke ardhur si kryeministër”. Ndërsa zëvendëskryeministri shqiptar atje, Artan Grubi i tha Gazetës Express një ditë para vizitës se Kurti nuk kishte kërkuar ta takonte Ahmetin. Vetë Ahmeti të dielën përmes një video-mesazhi bëri thirrje për bashkim “rreth frontit europian”, që tha se është “nevojë dhe përgjegjësi historike”. Fjalët e tij erdhën me rastin e përvjetorit të Marrëveshjes së Ohrit, por edhe menjëherë pas vizitës së Kurtit në Maqedoninë e Veriut.

Në zgjedhjet e fundit presidenciale në Malin e Zi, Kurti kishte ‘interferuar” duke u shprehur i shqetësuar kur thoshte se mund të fitonte Jakov Milatoviq, kundërkandidati i Milo Gjukanoviqit, gjë që edhe ndodhi. Ai pati thënë se në këtë formë do të hapej rruga për zhdukjen e kombit malazez.