Kryeministri Kurti së bashku me zëvendëskryeministren Emilija Rexhepi, ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, ministren e ekonomisë, Artane Rizvanolli, dhe ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, sot kanë vizituar Bashkësinë Islame të Kosovës, ku u mirëpritën nga Myftiu Naim Tërnava.
Kurti ka uruar për festën e Fitër Bajramit.
“Qeveria e Republikës së Kosovës e vlerëson dhe e çmon lartë rolin, kontributin dhe angazhimin e Bashkësisë Islame të Kosovës, me në krye Myftiun Naim Tërnava, në të gjitha etapat e zhvillimit e të përparimit, të rezistencës, çlirimit e të pavarësimit të vendit tonë. Urime e gëzuar Fitër Bajrami! Për hair Bajrami të gjithëve! Zoti kabull agjëruesve dhe një mirënjohje e veçantë për aspektin social të Bashkësisë Islame të Kosovës që ndihmon të varfrit, ata të cilët e kanë gjendjen e vështirë në mënyra të ndryshme dhe kësisoj dëshmojmë solidaritetin, mëshirën për dinjitet e begati për të gjithë, pa dallim. Në këtë pranverë gjithashtu përkujtojmë me nderim të thellë edhe 37 dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që vijnë nga radhët e imamëve, hoxhallarëve të Bashkësisë Islame të Kosovës. Gëzuar edhe një herë të gjithëve, e dëshiroj për juve dhe familjet e juaja, miqtë e juaj, sa më shumë dashuri, paqe e begati në sofrat e shtëpitë tuaja.”