string(115) "kurti-reagon-per-shperthimin-ne-zvecan-tentim-qe-te-pengohet-funksionimi-normal-i-dhe-te-minohet-zhvillimi-ekonomik"

Kurti reagon për shpërthimin në Zveçan: Tentim që të pengohet funksionimi normal i dhe të minohet zhvillimi ekonomik

Lajme

Gazeta Express

01/04/2025 12:06

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka dënuar fuqishëm sulmin ndaj objektit të Postës së Kosovës në Zveçan, duke u shprehur i shqetësuar, shkruan Gazeta Express.

Ai ka thënë se ky sulm është orvatje për të cenuar sigurinë dhe për të penguar integrimin e qytetarëve në sistemin ligjor.

Lexo Edhe:

‘‘Brengosëse në këtë situatë mbetet fakti se individë të njohur për lidhjet e tyre me grupe kriminale dhe terroriste, si Millan Radoiçiq, vazhdojnë të mbeten të lirë, e po strehohen dhe po shfrytëzohen nga pushteti në Serbi për qëllime shoviniste’’, ka shkruar ai mes tjerash.

Ai ka shkruar edhe se, përmes krijimit të tensioneve artificiale, është duke u tentuar që të pengohet funksionimi normal i institucioneve.

Postimi:

Me shqetësim të thellë dhe vendosmëri të palëkundur për të mbrojtur stabilitetin dhe rendin kushtetues, dënojmë fuqishëm sulmin me elemente terroriste ndaj objektit të Postës së Kosovës në Zveçan, i kryer sot me datë 1 prill 2025.

Ky akt dhune është një orvatje për të cenuar sigurinë dhe për të penguar integrimin e qytetarëve në sistemin ligjor dhe institucional të Republikës së Kosovës.

Brengosëse në këtë situatë mbetet fakti se individë të njohur për lidhjet e tyre me grupe kriminale dhe terroriste, si Millan Radoiçiq, vazhdojnë të mbeten të lirë, e po strehohen dhe po shfrytëzohen nga pushteti në Serbi për qëllime shoviniste.

Qëndrimi në liri i kriminelit Radoiçiq dhe mosdorëzimi i tij autoriteteve të shtetit tonë është një mesazh i rrezikshëm që inkurajon kriminelë e terroristë, ekstremistë të ndryshëm, që të vazhdojnë veprimet e tyre me tendencë destabilizuese.

Përmes krijimit të tensioneve artificiale, po tentohet të pengohet funksionimi normal i institucioneve dhe të minohet zhvillimi ekonomik e përparimi demokratik i vendit tonë.

Sulmi tinëzar me granatë në terrin e natës është orvatje nga dëshpërimi dhe pafuqia e atyre që nuk sundojnë më në veriun e Kosovës. Posta e Kosovës do të qëndrojë aty si ndërmarrje publike, xhami i ri do të vendoset e shërbimet legale do të vazhdojnë të ofrohen për të gjithë qytetarët.

Institucionet relevante janë duke kryer hetime të plota për të sjellë para drejtësisë autorët e këtij akti të rëndë.

Kosova mbetet e përkushtuar ndaj paqes dhe stabilitetit rajonal, por nuk do të lejojmë asnjë përpjekje për të sfiduar rendin tonë kushtetues dhe sigurinë e qytetarëve tanë.

Shteti do të vazhdojë të veprojë me vendosmëri për të siguruar që të gjithë qytetarët, pa dallim, të jetojnë në një mjedis të sigurt dhe të lirë. /GazetaExpress