Nëse Kosova vazhdon të refuzojë formimin e Asociacionit, emisari amerikan, Gabriel Escobar tha se SHBA-ja do të punojë vetë për themelimin e tij. Sipas diplomatit, Asociacioni duhet të jetë temë në “diskutimin e radhës”. Dhe, Kurti pret që Asociacioni të shtrohet për diskutim në Bruksel, kurdo që e thërrasin për takim.
Gazeta Express
Kryeministri Albin Kurti është në ditët e bashkërendimit të tij me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Diku bashkohet me amerikanët edhe në çështjen e asociacionit të komunave me shumicë serbe, që i ndan aq shumë.
Escobar, gjatë qëndrimit të tij në Prishtinë, ishte i prerë për çështjen e formimit të Asociacionit. Madje tha se formimi i tij është çështja më e rëndësishme për SHBA-në dhe se ai duhet të jetë temë në “diskutimin e ardhshëm”.
“Të jem i sinqertë, unë mendoj se duhet të punohet menjëherë për Asociacionin. Duhet të jetë në agjendë për diskutimin e radhës. Ne duhet të mendojmë se si ta përdorim atë për të krijuar besim në mes të Qeverisë dhe komunitetit minoritar. Kjo nuk ka të bëjë me Serbinë. Kjo ka të bëjë me marrëdhënien ndërmjet Qeverisë dhe komunitetit minoritar, në kuadër të strukturës kushtetuese të Kosovës dhe plotësisht sipas ligjeve të Kosovës”, ka thënë Escobar në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.
Dhe, kryeministri Kurti është i gatshëm për atë “diskutimin e radhës”, kurdo që e thërrasin në Bruksel.
Pas kësaj deklarate të Escobarit, Kurti tha në një intervistë për A2CNN që Asociacioni le të jetë kërkesë e palës serbe që shtrohet për diskutim në Bruksel.
“Unë nuk e mohoj që, në kuadër të dialogut, Serbia do ta ngrisë çështjen e Asociacionit të komunave serbe, si një model për të zgjidhur çështjet e të drejtave të pakicave kombëtare. Le ta bëjnë në kuadër të dialogut që duhet ta zhvillojmë në Bruksel. Pra, le të jetë kjo kërkesë e palëve serbe dhe unë pres kur do të na thërrasin herën e ardhshme në Bruksel”, tha Kurti.
Këtu ai shtoi se beson që, “edhe BE edhe SHBA, janë duke ndihmuar që të intensifikohet dialogu drejt një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme, ndërkombëtarisht të njohur…”.
Escobar është marrë më gjatë se kurdoherë tjetër me Asociacionin në vizitën e tij të fundit. Ai ka thënë se Asociacioni do të bëhet, edhe nëse nuk përfshihet Qeveria e Kosovës.
“Ne do ta kemi Asociacionin, ne do të jemi pjesë e procesit, dhe ai proces duhet të përfshijë Qeverinë e Kosovës. Nëse jo, ne mund ta zhvillojmë atë diskutim me partnerë alternativë, me shoqërinë civile, me grupet e të rinjve, me komunitetin e biznesit, me të gjithë që do të donin të shihnin Serbinë dhe Kosovën duke dalë nga ky cikël i jostabilitetit”, ka thënë Escobar.
Emisari amerikan është i sigurt se Asociacioni nuk do t’i ngjajë Republikës Serbe në Bosnjë dhe Hercegovinë, ashtu siç druhen e shohin shumë zyrtarë të Kosovës.
Ndonëse, Kryeministri Kurti asnjëherë nuk ka deklaruar se ka ndryshuar qëndrim rreth Asociacionit, Escobar la Kosovën, pa i dhënë opsion se mund të mos e formojë fare bashkësinë e komunave me shumicë serbe. /Express/