Kurtit i rrëzohet Byroja, pushteti fajëson gjyqtarët, ekspertët Qeverinë që s’di të shkruaj ligje - Gazeta Express
string(94) "kurtit-i-rrezohet-byroja-pushteti-fajeson-gjyqtaret-ekspertet-qeverine-qe-sdi-te-shkruaj-ligje"

Lajme

Gazeta Express

26/06/2024 17:42

Kurtit i rrëzohet Byroja, pushteti fajëson gjyqtarët, ekspertët Qeverinë që s’di të shkruaj ligje

Lajme

Gazeta Express

26/06/2024 17:42

Gjykata Kushtetuese e ka rrëzuar në tërësi Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Ky ligj i është nënshtruar dy herë vlerësimeve në Komisionin e Venecias. Lëndën në Gjykatë e kishte çuar Partia Demokratike e Kosovës. Pas vendimit, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, akuzoi gjyqtarët e Kushtetueses, duke shtuar se “byroja do të bëhet dhe se “pasuria publike e shpërdoruar e përvetësuar do të konfiskohet”. E juristi Ehat Miftaraj konkludoi se Qeveria s’po di të shkruaj ligje.

Gazeta Express

Lexo Edhe:

Një tjetër ligj, që ka qenë edhe një prej premtimeve kryesore gjatë fushatës, i është rrëzuar Qeverisë Kurti. Gjykata Kushtetuese e ka shpallur sot të pavlefshëm në tërësi Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Pro kanë votuar pesë gjyqtarë, e katër kundër.

“Gjykata ka vendosur që (i) njëzëri,…të shpallë të pavlefshëm, me pesë (5) vota për dhe katër (4) vota kundër, në tërësinë e tij, Ligjin nr. 08/L- 121 për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme”, thuhet në njoftim.

Ligji kishte kaluar në Kuvend në shkurt të vitit të kaluar, me votën pro të 66 deputetëve. Disa ditë më pas, Partia Demokratike e Kosovës i ishte drejtuar Kushtetueses për vlerësim të kushtetueshmërisë së këtij ligji.

Ky ligj i ishte nënshtruar dy herë vlerësimeve të Komisionit të Venecias. Nëpërmjet një konferencë te jashtëzakonshme, në qershor të vitit 2022, kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kishin njoftuar se i kanë pranuar opinionet e Komisionit të Venecias për vettingun në drejtësi e për Byronë për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.  Ata kishin thënë se kanë marrë mbështetje të plotë në jetësimin e këtyre reformave, pavarësisht se nga Komisioni ishin gjetur mangësi dhe ishin bërë rekomandime që duhen të inkorporohen në draftin final.

Herën e fundit ishte dërguar për vlerësim në nëntor të vitit 2022. Në mars të vitit të kaluar, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kishte thënë se përmes një Opinioni përcjellës, Komisioni sërish ka konfirmuar se Ligji për Byronë Shtetërore për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifkueshme ka adresuar të gjitha komentet e Komisionit.

“Komisioni konfirmon se Ligji ka krijuar garanci për pavarësinë e Byrosë, ka përcaktuar saktë procedurën e verifikimit, dhe ka përmirësuar garancitë e të drejtave të njeriut për subjektet në procedurë, ndër tjerash.Komisioni i Venedikut po ashtu edhe ka lavdëruar nismat legjislative të Qeverisë për luftimin e korrupsionit, krimit të organizuar dhe paratë e fituara në mënyrë të paligjshme”, kishte shkruar Haxhiu.

Pas vlerësimeve nga Komisioni i Venecias, nga partia në pushtet ishin shprehur optimist se Kushtetuesja do të vendosë në favor të tyre.

Në mars të këtij viti, Kryetari i Komisionit për Legjislacion, Adnan Rrustemi, kishte thënë se pavarësisht vonesave, themelimi i Byrosë s’ka alternativë. 

“…ne jemi të bindur që themelimi i Byrosë dhe verifikimi i pasurisë dhe konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme nuk ka alternativë, pavarësisht vonesave që po krijon procedimi dhe trajtimi nga Gjykata Kushtetuese”, shton deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje.

“Janë adresuar tri rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe se po presin që Kushtetuesja të mundësojë zbatimin e këtij ligji”, kishte deklaruar Rrustemi.

Por frikë se edhe ky ligj do t’i rrëzohet, kishte shprehur kryeministri Albin Kurti, disa javë pasi ligji kishte përfunduar në Kushtetuese.

“Si ta di unë që do të rrëzohet nga Gjykata Kushtetuese një ligj që e ka kaluar dy herë Komisionin e Venecias, i cili është dakorduar me SHBA-në, BE-në, Britaninë, me gjithë akterët e shoqërisë civile, dhe nuk mjafton Komisioni i Venecias, por vjen e rrëzohet këtu në Gjykatën tonë Kushtetuese”, kishte deklaruar Kurti.

Pas vendimit të sotëm, ka reaguar Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila ka goditur gjyqtarët e Kushtetueses.

Ajo është shprehur e bindur se byroja do të bëhet.

“Pas 16 muajve, pra sot, kuptuam që Ligji është shpallur i pavlefshëm. 5 gjyqtarë nga 9 sa janë gjithësej vendosën që Ligjin më të rëndësishëm në kuadër të pakos kundër korrupsionit e keqpërdorimit të detyrës zyrtare ta shpallin të pavlefshëm. Situata për ne është shumë e qartë, vullneti i qytetarëve për drejtësi po tentohet të përmbyset nga një grusht njerëzish që ende u shërbejnë dhe i kanë borxhe nomenklaturës së vjetër, por beteja jonë për reformë dhe shtet të së drejtës nuk do të ndalet. Byroja do të bëhet. Pasuria publike e shpërdoruar e përvetësuar do të konfiskohet. Vullneti popullor do të jetësohet”, shkroi Haxhiu në profilin e saj në Facebook.

Juristi Ehat Miftaraj në një koment pas publikimit të vendimit të Kushtetuess gishtine drejtoi të qeveria si sponsore e ligjeve.

“E kam fituar nje bindje se LVV po i harton me qellim keq ligjet qe e luftojne korrupsionin se po tuten per vete se mos iu konfiskohet pasuria e paligjshme.

Ose nuk e hartojne Strategjine kunder Korrupsion se mos po zbatohet e njejta ne praktike e po ua prish pazaret”, shkroi ai

“Sikurse mundet me qene edhe fakti se jane te padijshem shume me dite me hartu ligje apo politika ne baze te Kushtetutes dhe ligjit.

Pese vite ne pushtet, pese vite regres per popullin, mireqenie dhe bollek per njerezit e LVV dhe klienteles se saj” shkroi ai.

Ky Ligj parashihte që të gjithë zyrtarët publikë në Kosovë mund të ishin subjekt i verifikimit të pasurisë nëse do të ekzistonin dyshime se ajo ishte fituar në mënyrë të kundërligjshme.

Përveç zyrtarëve, subjekt i verifikimit dhe konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme parashihej të ishin edhe anëtarët e familjes së tyre apo palët e treta, që nënkupton personat te të cilët mund të ketë pasur dyshime se ishte bartur pasuria e zyrtarëve publikë./GazetaExpress/