Lëvizja qytetare “Kush e ka radhën” sot ka protestuar para Kuvendit, duke kërkuar drejtësi për viktimat e tragjedisë në diskotekën “Pulse” në Koçan, ku humbën jetën 59 persona dhe 196 u plagosën.
Protestuesit, simbolikisht, sollën karrige dhe pankartë ku shkruante: “Parlamenti është në seancë, ju lutemi për zhurmë” – duke aluduar në vendimin e deputetëve për të mos mbajtur seancë pas aksidentit.
“Ne si qytetarë jemi të frustruar nga mosveprimi i Kuvendit. Jo vetëm këto dy javë, ai është vazhdimisht pasiv. Derisa deputetët janë me pushime, vendosëm të mblidhemi dhe të diskutojmë për problemet”, tha Borjan Eftimov nga Lëvizja.
Ai bëri një kërkesë publike pranë institucioneve që të publikojnë dokumentacionin e plotë për funksionimin e diskotekës “Puls”. Kjo kërkesë i drejtohet: Inspektoratit Shtetëror të Tregut, Ministrisë së Ekonomisë, Ministrisë së Punëve të Brendshme, Inspektoratit për Urbanizëm, Pushtetit Lokal në Koçan, Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Drejtorisë së të Ardhurave Publike, Organit Konsultativ për Parandalim në Koçan.
“Ne po kërkojmë që dokumentacioni të publikohet për të parë nëse është kryer mbikëqyrje adekuate e funksionimit të diskos gjatë viteve,” shtoi Eftimov.
Përveç “Puls”, lëvizja bëri thirrje për transparencë edhe në raste të tjera, përfshirë tragjeditë me Besa Trans, Durmo Tours, Onkologjinë dhe spitalin modular.
Nga Lëvizja “Kush e ka radhën?” theksuan se kanë përgatitur kërkesa specifike për inspektoratet.