Los Angeles dhe Miami e shohin veten më afër finales së Konferencës pasi i fituan përballjet përkatëse në ndeshjet e katërta gjysmëfinale.
Lakers e mposhtën Golden Staten me rezultat të ngushtë 104:101 (22:21, 27:31, 28:32 e 27:17) falë përmbysjes që e bënë në çerekun e katërt pasi deri në atë kohë ishin në disavantazh.
Me këtë rast, ekipi nga Los Angelesi e ngriti serinë e ndeshjeve në 3-1, shkruan “Gazeta Express”.
LeBron James bëri paraqitje mjaft të mirë duke i realizuar 27 pikë, kurse Anthony Davis i shtoi 23 e Austin Reaves 21 në fitoren e Verdhekaltërve, të cilët e shohin veten veç një fitore larg finales së Konferencës.
Nga ana tjetër, Warriors e lëshuan fitoren nga duart, ndërsa më i miri tek ta ishte Stephen Curry me 31 pikë të realizuara.
Golden State do të mundohet ta ngushtojë epërsinë e kundërshtarit në ndeshjen e pestë, e cila do të luhet në “Chase Center”.
Ndërkohë, një hap të madh drejt finales e bëri edhe Miami, i cili e mundi New Yorkun me rezultat 109:101 (31:30, 25:18, 34:33 e 19:20).
Heat pas fitores në “FTX Arena” tash avancojnë 3-1 me lojë.
Jimmy Butler ishte lojtari më në formë i Miamit me 27 pikë, kurse kontribut dha edhe Bam Adebayo me 23 sosh, shkruan “Gazeta Express”.
Nga ana tjetër, Knicks nuk iu mjaftuan 32 pikët e Jalen Brunson, 24 të RJ Barrett dhe 20 të Julius Randle.
Miamit i nevojitet edhe një fitore për të shkuar në finale të Konferencës, kurse New Yorku do ta kërkojë përmbysjen e madhe në ndeshjet e ardhshme. /Gazeta Express/