Nëse Eriksen nuk e ka gjetur vetën ende te Interi, është sepse ai nuk mund të luajë në këtë stil të Contes tani për tani, thotë Bergomi.
Ish futbollisti legjendar i Interit, Giuseppe Bergomi ka qenë një nga ata që pati parashikuar vështirësi të danezit Christian Eriksen me fanellën zikaltër, ndërsa tani edhe koha po tregon se ka pasur të drejtë.
Në një intervistë të dhënë për Sky Sport, Bergomi ka deklaruar edhe shkaqet që kanë sjellë vështirësi të Eriksen, ndërsa ka thënë se tani i takon Contes t’i gjejë pozicionin e duhur në fushë.
Eriksen nuk është ende zgjedhja e parë e Contes, pavarësisht klasit që posedon.
“E pata thënë që në fillim, se Eriksen është i vetmi lojtar me cilësi ndryshe te Interi, por ai nuk mund të luajë në treshen e mesit të fushës, pasi aty Conte kërkon shumë intensitet dhe danezi nuk është lojtar përplasjesh”, u shpreh 56 vjecari.
“Ai është një fantazist dhe më të mirën e tij e jep kur luan sa më pranë sulmuesve, ndaj tani I takon Contes që të studiojë një rreshtim ndryshe dhe të nxjerrë më të mirën nga Eriksen”.
Bergomi e ka nisur dhe përfunduar karrierën te Interi.
Ai ka luajtur me fanellën e Interit nga viti 1979 deri në 1999.
Giuseppe, që ka luajtur në rolin e qendërmbrojtësit, ka bërë 756 paraqitje me fanellën e Interit dhe ka shënuar 28 gola. /Gazeta Express/