Alessandro Del Piero e ka lartësuar por edhe e ka kritikuar yllin e Juventusit, Paulo Dybala-n, duke thënë se me talentin dhe mendësinë që argjentinasi zoton, ai duhet të bëjë më shumë; të mos i vërë vetes kufij dhe ta pushtojë të ardhmen.
Ish-numri 10 dhe numri 10 aktual të skuadrës së Juventusit biseduan në një lidhje direkte në Instagram, transmeton Gazeta Express.
Në lidhje me atë bisedë, Del Piero foli për Gazzetta dello Sport për aftësitë e argjentinasit.
“Goli që ai e shënoi kundër Interit dëshmon se ai është lojtar me cilësi të jashtëzakonshme. Një gol i tillë duhet t’i japë atij më shumë vetëbesim dhe vetëdijesim për cilësitë që i posedon”, tha Del Piero.
“Në fakt, do të shkoja edhe më lartë; dikush me cilësitë, talentin dhe mendësinë e tij, duhet të bëjë më shumë. Paulo nuk duhet t’i vërë vetes kufizime, por ta pushtojë të ardhmen”, shtoi ai. /Gazeta Express/