Ngado që ta vërtisim, nuk e di pse jemi kaq të dënuar ta kemi një ministe të Jashtme si Gërvalla
Arben Idrizi
Na bën vaki, e ndoshta jo edhe aq rrallë, e rëndom në momente shumë kritike, të dëgjojmë akuza – nga personalitete të ndryshme, sidomos politike, vendesh të vogla e ndonjëherë vendesh të mëdha, pra nga ata me orientim kryesisht djathtist – ndaj politikave të vendeve që me një fjalë përbëjnë Perëndimin. Kur ne e dëgjojmë këtë ta bëjë ndonjë Orban, ose ndonjë Salvin, ose pastaj ndonjë politikan serb, ne nuk është se habitemi ndonjë gjë, duke qenë se e dimë nga dhe pse vijnë akuzat, edhe ne pra këtu që jemi pothuajse vetëm spektatorë të gjithë asaj shfaqjeje.
Po kur dëgjojmë ministren e Jashtme të Kosovës, Donika Gërvallën, të thotë se «Perëndimi ka nevojë për një strategji të re, se ajo e vjetra ka perënduar», a habitemi ne? A e dimë saktësisht se për çfarë e ka fjalën dhe a është e mundur që Gërvalla të jetë aq e vetëdijshme për kalbjen e strategjisë politike të Perëndimit – «përballë një Moske agresive» – e vetë Perëndimi të mos e ketë idenë se çka po i ndodh, të ketë rënë në atë derexhe sa të operuar prej kohësh «me kompromise të dobëta dhe joparimore»? A është vetë Gërvalla një diplomate e dëshmuar sa ta ketë qoftë edhe vetëm të drejtën morale (kënaqësinë mund ta ketë nga natyra, edhe kur ajo është perverse), të diskutojë politikat perëndimore dhe a është në të njëjtën kohë Kosova një vend aq i rëndësishëm sa të jetë i mirëpritur t’i japë leksione perëndimit mbi strategjitë politike?
Gërvalla nuk e ka (nuk e ka dëshmuar ta ketë) as edhe një cilësi të vetme të të qenit diplomate. Arroganca e tillë si në rastin e deklaratës së sotme, pasojë e jomaturisë së saj të përgjithshme, është në sintoni të përsosur me naivitetin diplomatik të pushtetit të sotëm, që Perëndimin e sheh si një subjekt të degjeneruar, korruptuar dhe të padrejtë në pritje të leksioneve shpëtimtare nga vendet e mjera dhe të pashpresa si ai nga i cili vjen vetë ky pushtet.
Nuk e di se çfarë satisfaksioni gjejnë për veten e tyre (e çfarë satisfaksioni gjejnë pastaj votuesit dhe përkrahësit e tyre), kur flasin e veprojnë kështu, mbase edhe janë verbërisht të bindur se janë në të mirën dhe për të mirën, por ne që jemi jashtë rrethit të tyre magjik, ne që e kemi njëfarë ideje mbi gjeografinë territoriale, politike, ekonomike dhe ushtarake të vendit tonë, deklarata e veprime të tilla na lënë pa mend, na e shpifin të qenët në këtë vend dhe na e neverisin vetë të pasurit shpresë për këtë vend.
Në fund ngado që ta vërtisim, nuk e di pse jemi kaq të dënuar ta kemi një ministe të Jashtme kaq naive dhe arrogante, përkthyer më kapshëm, kaq injorante.
Pse të presësh, kur mundesh me hy direkt me Fast Lane? Si Sponsor Gjeneral i Sunny Hill Festival, Banka...