Leksione ngrehalucësh, II - Gazeta Express
string(24) "leksione-ngrehalucesh-ii"

OP/ED

Gazeta Express

19/06/2024 16:18

Leksione ngrehalucësh, II

OP/ED

Gazeta Express

19/06/2024 16:18

Masat e tilla nuk vendosen për të shprehur pafuqi, në ndonjë gjendje dobësie, përkundrazi, për të shprehur pakënaqësi dhe superioritet. Jo superioritet të përbërë nga arroganca, por nga një vetëdije politike demokratike.

Arben Idrizi

Lexo Edhe:

A ka ndonjë brejtje ndërgjegjeje Besnik Bislimi kur na thotë se «sanksionet (masat) ndaj vendit tonë ia kanë vlejtur»? Kushedi. Arsyetimi i tij është se pavarësisht të gjithave qenka krijuar një shtet i ri nga e para, në veri të vendit tonë. Për të na bindur ne që s’e besojmë këtë duhet të vërtetohet në kohë. Për t’i zhbindur ata që e besojnë (votuesit e pushtetit) veç pse se thënë nga pushteti, duhet më shumë se sa të vërtetohet e kundërta.

Qoftë edhe vetëm në parim, deklarimi i tij është, më e pakta dhe më së buti, jologjik.

Sanksioni është ndëshkim dhe rëndesë. Sanksioni ekonomik është ndërhyrje pothuajse vetëm një shkallë më poshtë se sa ndërhyrja luftarake. Rëndomë bëhet nga një vend a grup vendesh kundër një vendi që ka shfaqur shenja agresiviteti të ndryshme dhe për rrjedhojë nuk është se edhe mund të konsiderohet vend miqësor. Kur jemi këtu, pra, është disi e pakuptueshme dhe gati se absurde t’i kemi detyruar miqtë tonë, vendet që kanë bërë çmos ta krijojnë këtë shtet dhe na konsiderojnë tamam krijesë të veten, pra pikërisht ato vende t’i detyrojmë të na ndëshkojnë për shkak të veprimeve tona. Nëse ne kemi arritur t’i mbështesim për muri në këtë mënyrë, do të thotë se ne kemi qenë në gjendje, falë budallallëkut tonë (ose largpamësisë së pushtetit të cilën s’po arrijnë ta kapin as vendet që na e duan më së shumti të mirën), me atë fuqi të padukshme dhe të pakonsiderueshme, t’i mbështesim për muri.

Nga ana tjetër, për të pasur një vlerësim për pasojat e vërteta të sanksioneve duhet më shumë kohë. Dhe ata që e pësojnë më së shumti nuk do të thotë se janë posaçërisht strukturat shtetëtore, më parë janë vetë grupet e caktuara shoqërore.

Vendosja e masave të tilla, pra, ishte, edhe nëse jo ndëshkim i papërballueshëm ekonomik (ngase nuk do të donin të pësonin banorët e mjerë për shkak të politikanëve të çoroditur), të paktën qortim politik me shpresën se do të ketë rishikim të qëndrimeve, rikthim në gjendjen normale të bashkëpunimit dhe respektit, si një hallkë e parë e një serie të mundshme.

Masat e tilla nuk vendosen për të shprehur pafuqi, në ndonjë gjendje dobësie, përkundrazi, për të shprehur pakënaqësi dhe superioritet. Jo superioritet të përbërë nga arroganca, por nga një vetëdije politike demokratike.

Pastaj, të pësosh masa të tilla nga një organizëm në të cilin synon të përfshihesh, të pranohesh, të jesh i barabartë, është po ashtu të të përplaset për surrati e vërteta sa presin ende prej teje të punosh për ta merituar. Dhe mbase ende nuk jemi as në hapat e parë.

Gjithsesi, shikojini vendet dhe personat që zakonisht sanksionohen nga vende e autoritete të caktuara dhe shihni ç’mendim keni.