Edon Zhegrova vazhdon të jetë brengë e madhe për skuadrën franceze Lille. Sulmuesi kosovar shkëlqeu në vjeshtë, por ka munguar që nga 14 dhjetori.
Ai që besohej të ishte një lëndim i lehtë, e ka lënë 25-vjeçarin jashtë fushës së blertë për më shumë se tre muaj e gjysmë.
Bëhet fjalë për një lëndim në pjesën e poshtme të barkut, ndërsa pritja për kthimin e Zhegrovës vazhdon.
Është pritur që Zhegrova të kthehet në fushën e blertë pas ndeshjeve të përfaqësuese. Ndeshjet e përfaqësueseve përfunduan të martën, ndërsa Lille të dielën e luan derbin e veriut ndaj Lensit.
Ndeshja zhvillohet nga ora 20:45 dhe i takon xhiros së 27-të të kampionatit francez. Lille është i gjashti me 44 pikë, ndërsa Lensi i teti me 39 pikë.
Lille të premten njoftoi për mungesën e Zhegrovës dhe Ethan Mbappes. Për yllin kosovar në konferencë për shtyp foli trajneri i Lille, Bruno Genesio.
“Ne kemi shpresuar ta kemi në skuadër Zhegrovën për të dielën. Qartë se nuk prisnim që ai të ishte gati të luante nga fillimi pasi Edoni është jashtë për më shumë se tre muaj. Por në fund gjendja e tij nuk ishte aq e kënaqshme sa ta përfshijmë në skuadër”, ka thënë Genesio.
Zhegrova po e vazhdon rehabilitimin dhe riintegrimin gradual në skuadër, ka vazhduar trajneri i Lille. Zhegrova i është nënshtruar një ndërhyrjeje, por faza e rikuperimit po zgjat më shumë se që pritej.
Më 5 prill, Lille luan në udhëtim ndaj Lyonit, në kuadër të xhiros së 28-të. Në atë ndeshje Zhegrova mund të përfshihet në skuadër.
“Shpresoj që për ndeshjen me Lyonin mund të konsiderojmë që ta kemi atë në skuadër. Por duhet të shqyrtojmë gjendjen ditë pas ditë, pasi ndonjëherë ai ndihet shumë më mirë dhe më pas të nesërmen ndihet sërish pak jo komod. Ka të bëjë edhe me dëgjimin e ndjenjave të tij, trupit të tij, ditë pas dite”, ka shtuar Genesio, që nuk ishte shumë i qetë gjatë prezantimit për gazetarët.
Pas shkëlqimit në vjeshtë, ku është pritur të jetë edicion i shpërthimit të Zhegrovës në kampionatin francez. Por prioritet për sulmuesin e krahut aktualisht është kthimi në fushë. Deri në fund të kampionatit francez kanë mbetur edhe tetë xhiro. Mbetet të shihet në sa prej tyre do të paraqitet Zhegrova dhe nëse do të vazhdojë të jetë vendimtar si në pjesën e parë të kampionatit.
Në 12 paraqitje kampionale, Zhegrova i kishte katër gola e një asistim. Në nëntë paraqitje në Champions, duke përfshirë kualifikimet, i realizoi katër gola e një asistim. Ndër të tjera u shpall më i miri i ndeshjes ndaj Real Madridit.