Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë është e përgatitur për zgjedhje të parakohshme parlamentare, deklaroi kryetari i partisë, Venko Filipçe. Megjithatë, ai nuk e sqaroi nëse opozita do të kërkojë që këto zgjedhje të zhvillohen paralelisht me ato lokale.
Sipas Filipçes, situata në koalicionin qeveritar është e paqëndrueshme, veçanërisht pas përçarjeve të fundit brenda partnerit VLEN, çka mund të çojë në zgjedhje të parakohshme. Për mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme foli edhe nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani, gjatë një konference në Lubjanë, duke e lidhur këtë me ecurinë e procesit eurointegrues. Ndërkohë, kryeministri Hristijan Mickoski nuk dha një përgjigje të prerë nëse planifikon që zgjedhjet parlamentare të mbahen së bashku me ato lokale. Sa i përket përgatitjeve për zgjedhjet lokale, Filipçe theksoi se LSDM do të garojë në koalicion, ndërsa për mundësinë e bashkëpunimit me Arben Taravarin, ai tha se ka iniciativa të nisura për negociata.