Manchester City ka siguruar një vend në gjysmëfinalet e FA Cup pas një fitoreje me përmbysje 2-1 ndaj Bournemouth-it në një ndeshje të luftuar deri në fund.
Takimi nisi me një ritëm të lartë, ku City pati mundësinë të kalonte në avantazh që në minutën e 14-të, por Erling Haaland humbi një penallti, duke i dhënë shpresë vendasve.
Bournemouth e shfrytëzoi këtë moment dhe kaloi në avantazh në minutën e 21-të me një gol të Evanilson, shkruan Gazeta Express.
Në pjesën e dytë, City reagoi menjëherë dhe arriti të barazonte rezultatin në minutën e 49-të me një gol të Haaland, i cili u rikthye për të lënë gjurmë pas gabimit të mëparshëm.
Përmbysja e “Qytetarëve” u kompletua në minutën e 63-të, kur Omar Marmoush realizoi golin e fitores, duke vulosur kualifikimin e skuadrës së Pep Guardiolës.
Me këtë triumf, Manchester City siguron një vend mes katër më të mirave të turneut dhe mbetet një nga favoritët kryesorë për të fituar FA Cup këtë sezon.