Manchester City ka marrë një fitore të vonshme dhe dramatike në shtëpi ndaj Leeds United, duke e mundur 3-2 në një ndeshje të mbushur me emocione.
“Qytetarët” e nisën ndeshjen në mënyrën më të mirë të mundshme, duke shënuar vetëm pas disa sekondash.
Phil Foden ishte ai që hapi llogarinë me një gol të shpejtë (1′). Edhe pas këtij goli të hershëm, City vazhdoi dominimin e lojës, me Josko Gvardiol që dyfishoi epërsinë për vendasit me një goditje të bukur nga distanca (25′), shkruan Gazeta Express.
Megjithatë, Leeds reagoi fuqishëm në pjesën e dytë. Pasi Calvert-Lewin ngushtoi epërsinë me një gol të shpejtë (49′), ekipi i drejtuar nga Daniel Farke ngriti moralin dhe arrin të barazonte pas një përpjekjeje të Nmecha-s, i cili shfrytëzoi një top të kthyer nga penalltia e humbur (68′).
Kur gjithçka dukej se do të përfundonte me barazim, Phil Foden shënoi një gol të dytë për veten dhe të tretin për City-n në minutën e fundit të ndeshjes (90+1′), pas një asistimi të saktë nga Ryan Cherki.
Me këtë fitore, Manchester City arrin në 25 pikë dhe mbetet në luftë për kreun e tabelës, ndërsa Leeds mbetet në pozita të rrezikshme, duke u renditur në vendin e 18-të me vetëm 11 pikë. /GazetaExpress/