Manchester United ka ringjallur interesimin për mesfushorin e Atalantës, Ederson. Braziliani 26-vjeçar është shndërruar në një nga mesfushorët më të mirë të Serie A që nga transferimi i tij nga Salernitana në vitin 2022, duke qenë pjesë kyçe edhe në triumfin e Atalantës në Europa League.
Sipas raportimeve, “Djajtë e Kuq” po kërkojnë të përforcojnë mesfushën gjatë këtij afati kalimtar dhe kanë kontaktuar përmes ndërmjetësve për të mësuar kushtet e një transferimi.
Atalanta mund të jetë e gatshme ta lëshojë lojtarin për një shifër më të ulët se 35 milionë paund, megjithëse kontrata e tij zgjat deri në vitin 2027.
Megjithatë, klubi italian nuk dëshiron ta shesë Edersonin në mes të sezonit, ndërsa vetë lojtari preferon një kalim te një skuadër që luan në Champions League. Kjo e bën operacionin të vështirë për United, që duhet të veprojë shpejt para mbylljes së merkatos më 2 shkurt.
Ederson shihet si një opsion ideal për të përforcuar mesfushën e United, sidomos në kushtet kur e ardhmja e Casemiros është e paqartë dhe Manuel Ugarte nuk ka bindur plotësisht në Premier League. /GazetaExpress