string(44) "mbi-500-te-lenduar-nga-nje-shperthim-ne-iran"

Mbi 500 të lënduar nga një shpërthim në Iran

Lajme

Gazeta Express

26/04/2025 21:03

Të paktën 516 njerëz janë lënduar si pasojë e një shpërthimi të fuqishëm në qytetin port të Iranit, Bandar Abbas, të shtunën, sipas televizionit shtetëror iranian.

Dogana e Iranit tha se shpërthimi ndodhi në terminalin e kontejnerëve Sina, që është i lidhur me Organizatën e Porteve dhe Transportit Detar.

Lexo Edhe:

Shërbimet e emergjencës dhe ekipet e ndihmës së parë iraniane ndodhen në vendngjarje dhe numri i të plagosurve është rritur me kalimin e orëve pas shpërthimit.

Autoritetet nuk kanë treguar ende shkaktarin e shpërthimit.

Mehrdad Hasanzadeh, zyrtar për menaxhimin e fatkeqësive, i tha televizionit shtetëror iranian se shpërthimi erdhi nga kontejnerët në portin Rajaei të qytetit.

Video të tjera treguan dëme në ndërtesa dhe automjete. Disa persona u panë gjithashtu në zonë duke ndihmuar të plagosurit dhe duke kontrolluar dëmet në pronat e tyre.

Porti Rajaei është kryesisht vend i trafikut të kontejnerëve, por gjithashtu ka rezervuarë nafte dhe objekte të tjera petrokimike.

Porti Rajaei ndodhet rreth 1.050 kilometra në juglindje të kryeqytetit Teheran, në ngushticën e Hormuzit, gryka e ngushtë e Gjirit Persik përmes së cilës kalon 20 për qind e gjithë naftës që tregtohet globalisht.

Izraeli ishte akuzuar për kryerjen e një sulmi të madh kibernetik ndaj të njëjtit port në maj të vitit 2020, duke shkaktuar kaos në transport për disa ditë pas rrëzimit të sistemit kompjuterik të portit./REL