string(109) "mbrojtja-e-krasniqit-aktgjykimi-perfundimtar-do-te-konfirmoje-pafajesine-sdo-te-vonohemi-ne-hapat-procedurale"

Mbrojtja e Krasniqit: Aktgjykimi përfundimtar do të konfirmojë pafajësinë, s’do të vonohemi në hapat proceduralë

Lajme

Gazeta Express

04/04/2025 13:35

Avokatja e Jakup Krasniqit në Hagë, Venkateswari Alagendra, në një përgjigje për T7 ka thënë se rruga e Krasniqit për drejtësi ka qenë e mbushur me sfida në këto vjet që nga arrestimi i tij.

Ajo tha se gjatë kësaj kohe mbrojta ka qenë e palëkundur për të vërtetën dhe drejtësinë.

Lexo Edhe:

“Rruga drejt drejtësisë për z. Jakup Krasniqi ka qenë e gjatë dhe e mbushur me sfida. Duhet pranuar se kanë kaluar pothuajse katër vjet e gjysmë që nga arrestimi i klientit tim, duke përfshirë një fazë paraprake dhe dy vjet të plota që nga fillimi i gjykimit. Gjatë gjithë kësaj periudhe, Mbrojtja ka qëndruar e palëkundur në përkushtimin e saj për të vërtetën dhe drejtësinë. Që nga fillimi i gjykimit, strategjia jonë ligjore ka qenë e bazuar në fakt, ligj dhe integritet. Gjatë rrjedhës së çështjes së Prokurorisë, ne i kemi mbështetur dhe vërtetuar vazhdimisht qëndrimet e paraqitura në fjalën tonë hyrëse. Këto pozicione mbeten të palëkundura”.

Ajo tha se derisa Prokuroria është drejt përfundimit formal, mbrojtja do të vazhdojë me hapat proceduralë pa vonesa në mënyrë që gjykimi përfundimtar të bëhet sa më shpejt të jetë e mundur.

“Me rastin e Prokurorisë, tashmë në përfundim formal në ditët në vijim do të vazhdojmë me hapat e radhës proceduriale, të përcaktuara në Rregullore. Ne jemi të përkushtuar të sigurojmë që këto hapa të përfundojnë pa vonesë në mënyrë që gjykimi përfundimtar të mund të jepet sa më shpejt të jetë e mundur”.

Alagendra u shpreh optimiste se aktgjykimi përfundimtar do të vërtetojë pafajësinë e Krasniqit.

“Ne mbetemi të palëkundur në besimin tonë se drejtësia do të triumfojë – dhe se aktgjykimi përfundimtar do të konfirmojë pafajësinë e z. Krasniqi”.

Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit. /Express/