Bashkësia Islame e Kosovës ka kërkuar nga imamët e të gjithë xhamive në Kosovë që në ligjeratën e (Xhumasë) të flasin për vrasjen e rreshterit Muhamed Lika.
Kjo u bë me rekomandim të kryetarit të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiut Naim Tërnava.
Gjatë kësaj ligjertae, u dënua fuqishëm akti i vrasjes së ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, njëherësh eprorit të Policisë së Kosovës, duke bërë apel institucioneve të drejtësisë dhe sigurisë që sa më parë të zbardhen rrethanat e vrasjes, si dhe kryesit e këtij krimi të marrin dënimin e merituar.
Më poshtë gjeni tekstin e plotë të hytbesë:
Të dashur vëllezër besimtarë!
Vrasja e eprorit të Policisë së Kosovës, njëherësh ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, z. Muhamed Lika, ishte një akt tronditës dhe thellësisht i dënueshëm, i cili ka goditur jo vetëm rendin dhe sigurinë publike, por edhe vetë shtyllën morale të shoqërisë dhe vendit tonë.
Ajo çfarë e bën edhe më të rrezikshëm këtë krim, është përpjekja për ta justifikuar atë përmes narracionit fetar – metodë kjo e njohur dhe e përdorur në mënyrë të përsëritur nga grupe të ndryshme kriminale, kudo në botë.
Disa e shfrytëzojnë dhe e keqpërdorin flamurin kombëtar, të tjerë maskohen pas parimeve fetare, humanitare, apo idealeve “të larta”, duke e keqpërdorur ndjenjën kolektive për t’i legjitimuar mizoritë dhe veprimet e tyre të papranueshme dhe të dënueshme kriminale.
Të dashur besimtarë!
Krimi nuk njeh ideal. Ai nuk ka fe, komb dhe as parim. Njerëzit e tillë kriminelë përdorin maska të shumta. Andaj, është detyrë e gjithë neve – në radhë të parë e institucioneve, shoqërisë civile dhe e gjithë qytetarëve që t’i demaskojmë këta njerëz dhe të mos lejojmë që plagët e shoqërisë të shfrytëzohen nga at që synojnë destabilizimin dhe dëmtimin tonë dhe të vendit tonë.
Zëri i ligjit dhe i drejtësisë duhet të jetë më i fortë se çdo përpjekje për ta sabotuar atë. Të gjithë duhet t’i mbështesim institucionet tona në zbardhjen e rastit dhe vendosjen e drejtësisë në vend.
Prandaj, konsiderojmë se prononcimi i hershëm për rastin, si dhe përpjekjet për ta lidhur krimin makabër, për kinse motive fetare, më së shumti i shkon për shtati atyre që e kanë kryer atë.
Në fakt, synimi parësor i tyre mbetet mbulimi i krimit me narrativa të rrejshme, në këtë rast në emër të fesë së pastër islame.
Mënyra më e mirë për t’i mbështetur institucionet është që të përcillen deklarimet zyrtare.
Secili raportim tjetër dhe tendencat për ta hetuar rastin – në forma të ndryshme nga institucionet dhe mekanizma – që nuk e kanë mandat këtë, mund të cenojnë seriozisht hetimet, arrestimin e të dyshuarve të tjerë, epilogun e rastin dhe interesat e Kosovës.
Të nderuar besimtarë!
Bashkësia Islame e Kosovës, me të gjitha institucionet e saj, edhe njëherë dënon ashpër këtë vrasje, duke i shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes, të afërmve dhe kolegëve të policit Muhamed Lika, njëherësh, kërkon dhe u bën apel institucioneve të drejtësisë dhe sigurisë që sa më parë të zbardhen rrethanat e vrasjes, si dhe kryesit e këtij krimi të marrin dënimin e merituar.
Lutemi që krimet e tilla të vrasjeve të mos përsëriten më asnjëherë në vendin tonë!