Legjenda e Arsenalit, Paul Merson, thotë se sulmuesi nigerian Odion Ighalo i ka bërë të gjitha gjërat e duhura që kur është huazuar në Old Trafford për ta fituar një kontratë permanente me Manchester Unitedin.
Ole Gunnar Solskjaer vendosi të rrezikojë gjatë afatit kalimtar të janarit pasi që kishte nevojë urgjente për një sulmues në skuadër, pasi Marcus Rashfordi u lëndua. Trajneri norvegjez vendosi ta transferojë një lojtar që i kishte kaluar tre vjetët e fundit të karrierës duke luajtur në Kinë, transmeton Gazeta Express.
Ighalo iu bashkua Manchester Unitedit në marrëveshje për huazim për gjashtë muaj nga Shanghai Shenhua në ditën e fundit të afatit kalimtar të janarit, duke u kthyer në Premierligës pasi që kishte luajtur për Watfordit në vitet 2015-2017.
E përkundër që ky transferim ishte përqeshur nga tifozët e klubeve kundërshtare, Ighalo shënoi katër herë në tri ndeshjet e tij të para si titullar për Unitedin, duke i shfaqur disa aftësi mbresëlënëse në fushën e lojës.
Tani që sezoni 2019/20 është pezulluar dhe nuk dihet se kur do të kthehet futbolli, nuk është e qartë se si do të funksionojë afati kalimtar i verës, mirëpo Merson mendon Ighalo i ka bërë të gjitha gjërat e duhura për ta fituar një kontratë të re.
“Ajo që unë mund ta them është që ai ka qenë absolutisht i jashtëzakonshëm që kur ka arritur në Old Trafford. E di se ai nuk ka luajtur shumë kur ka hyrë në lojë nga stoli, por dukej shumë i mirë kur luante nga fillimi”, ka thënë Merson.
“Ai i ka thënë të gjitha gjërat e duhura që kur i është bashkuar Manchester Unitedit. Ka thënë se ka ëndërruar të luajë për Manchester Unitedin, kështu që nëse klubi ia ofron atij një kontratë permanente, nuk mund ta shohë atë duke ua refuzuar ofertën”.
“Gjithçka ka shkuar mirë për të deri më tani dhe nëse Manchester Unitedi ia jep atij mundësinë të qëndrojë, do të ishte i tronditur nëse ai do të largohej”. /Gazeta Express/