Raportimet në fillim të javës konfirmojnë se Carlo Ancelotti ka arritur një marrëveshje për t’u bërë trajneri i ri i kombëtares së Brazilit në përfundim të sezonit 2024-25.
Sipas burimeve të afërta me situatën, legjenda italiane u takua me presidentin e CBF-së, Ednaldo Rodrigues, në fillim të javës, dhe është kthyer në Madrid bashkë me një tjetër përfaqësues të federatës braziliane për të finalizuar detajet e fundit të kontratës, siç raporton “Relevo”.
Sipas gazetës braziliane “O Globo”, Ancelotti mund të firmosë kontratën zyrtare në fundjavë, menjëherë pas ndeshjes së Real Madrid kundër Celta Vigos.
Brazili kërkon që ai të nisë punën menjëherë pas përfundimit të sezonit të LaLigës dhe përpara Kupës së Botës për Klube, për shkak të ndeshjeve vendimtare të kualifikueseve të Botërorit kundër Ekuadorit dhe Paraguait, më 4 dhe 9 qershor.
“O Globo” shton se tashmë është pjesë e marrëveshjes që Ancelotti të fillojë zyrtarisht detyrën si trajner i Brazilit në maj, jo në qershor.
Raportimet thonë se ai do të shpallë listën e tij të parë të lojtarëve më 26 maj në Rio de Janeiro — vetëm një ditë pas ndeshjes së fundit të Real Madridit në LaLiga kundër Real Sociedad, më 25 maj.
Kjo shënon një kapitull të ri për Ancelottin, i cili do të bëhet trajneri i parë evropian që drejton Brazilin në më shumë se 60 vjet, një rol me presion të madh, por edhe me prestigj të jashtëzakonshëm./GazetaExpress/