string(84) "meta-ceshtje-e-drejtesise-shefi-i-odihr-nis-takimet-me-aktoret-politike-per-11-majin"

“Meta çështje e drejtësisë”, shefi i ODIHR nis takimet me aktorët politikë për 11 majin

Shqiperi

Gazeta Express

07/04/2025 15:57

Shefi i misionit të ODIHR, Lamberto Zannier, nisi takimet me forcat politike për të dëgjuar shqetësimet e tyre në lidhje me zgjedhjet e 11 majit. Në përfundim të takimit në selinë e Partisë së Lirisë, ambasadori Zannier deklaroi se misioni i ODIHR do të takohet me të gjithë aktorët e rëndësishëm në zgjedhjet parlamentare.

“Ky është fillimi i një serie diskutimesh që ne do të zhvillojmë me të gjitha palët e përfshira; partitë politike, por edhe shoqërinë civile, faktorin ndërkombëtar, si dhe institucionet e tjera. Pra, puna jonë është të vëzhgojmë dhe në fund, raporti ynë dhe rekomandimet tona do të bazohen në gjithçka që ne shohim. Gjithashtu, diskutimet që ne zhvillojmë na ndihmojnë të identifikojmë fushat potenciale problematike”, tha Zannier.

Lexo Edhe:

Shefi i Misionit të ODIHR komentoi edhe rastin e Ilir Metës, i cili garon në zgjedhjet parlamentare duke qenë i arrestuar, duke theksuar se iu takon autoriteteve shqiptare të vendosin për çështje të tilla.

“Është vërtet në dorën e institucioneve të këtij vendi të nxjerrin konkluzionet përfundimtare për këtë çështje. Ne qëndrojmë për shtetin ligjor dhe për zbatimin me transparencë të parimeve të shtetit ligjor”, sqaroi Zannier.

Misioni i ODIHR nisi punën e tij në datën 2 prill dhe përbëhet nga 12 ekspertë, të cilët do të ndjekin të gjithë procesin zgjedhor, nga 26 vëzhgues afatgjatë dhe 300 vëzhgues afatshkurter.