Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i cili ndodhet në paraburgim nën hetim nga SPAK, reagoi sot pas prezantimit të programit të Partisë Socialiste, “Shqipëria 2030” nga Kryeministri Edi Rama.
Me anë të një audiomesazhi, Meta u shpreh se 11 maji do të jetë dita e fitores të programit mbi pushtetin.
Sipas Metës, “i mbetur pa program tani Edi Rama ka nisur të vjedhë edhe premtimet elektorale të opozitës, të cilat për muaj të tërë i quante të parealizueshme”.
Meta u shpreh i bindur se, “shqiptarët do të votojnë për programin e opozitës që është tepër realist dhe në interes të shumicës dërrmuese të shqiptarëve”.
Ai theksoi se, programi i opozitës synon fuqizimin e ekonomisë familjare, por edhe të ekonomisë kombëtare në mënyrë të qëndrueshme dhe afatgjatë.
“Opozita është edhe garantja e përshpejtimit të integrimit evropian, sepse ajo i ka dhënë të gjitha provat për këtë”, theksoi më tej Meta.