Gjatë javës do të konkretizohet iniciativa që VLEN të shkrihet në një subjekt politik. Mbi përcaktimet parimore për të cilat është krijuar koalicioni që po kalon në një subjekt të vetëm politik, nuk ka lëkundje. Sipas kryetarit të Lidhjes Demokratike, Izet Mexhiti VLEN në një parti do ta përfshi Lëvizjen Demokratike, Lëvizjen Besa, Alternativën dhe Lëvizjen Vetëvendosje. Sipas tij, i vetmi që ka dilema për këtë është Arben Taravari, duke shtuar nuk mund të jesh VLEN dhe të bashkëpunosh me BDI-në, përcjell Gazeta Express nga Alsat.mk
“VLEN asht antipod i BDI-së dhe nuk ka logjikë bashkëpunimi me BDI-në. Në atë moment që bashkëpunohet me BDI-në humb kuptimi i ndryshimit dhe humb kuptimi i asaj për të cilën e kemi kërkuar votën. Në të kaluarën votuesi shqiptar ka kërkuar unifikimin e opozitës shqiptare, tash kërkon që subjektet të shkrihen brenda VLEN. Besoj që brenda javës do të ketë edhe iniciativë që VLEN-i të jetë një subjekt”, deklaroi Izet Mexhiti, Kryetar i Lëvizjes Demokratike.
Taravari tha se për këtë iniciativë nuk ka informacion, duke shtuar se pesë deputet që ai gëzon do të funksionojnë si grup i pavarur. Taravari tha se nuk pranon ultimatum nga VLEN por mbetet i hapur për bashkëpunim.
“Aleanca për Shqiptarët do të mbese si subjekt që do të tenton përsëri të bashkëpunon nëse këto shkrihen me një parti. Deri te ne nuk ka ardhur një ofertë e tillë. Nëse vjen do ta shqyrtojmë…Emrin ua japim le të vazhdojnë si VLEN. Ne do të mbesim 5 deputet si ASH dhe do të vazhdojmë me grupin tonë parlamentar. Jemi të hapur për bashkëpunim me të gjithë. Me BDI-në nuk kam biseduar”, tha Arben Taravari, Ministër i Shëndetësisë.
Koalicioni VLEN u formua para zgjedhjeve parlamentare. Aso kohe u paraqit si opsion për të sjell rotacionin e pushtetit te kampi politik shqiptar. U formalizua në momentin që Arben Taravari iu bashkua koalicionit. U manifestua si fillimi i ndryshimeve, ndërsa Taravari për këtë vendim u kërcënua me jetë, pasi persona të panjohur gjuajtën me armë zjarri para shtëpisë së tij, u përjashtua nga subjekti dhe iu morën vulat e partisë.