string(51) "midis-perpjekjes-liberale-dhe-rezistences-mesjetare"

Midis përpjekjes liberale dhe rezistencës mesjetare

OP/ED

Gazeta Express

18/03/2022 14:09

Dështimi në Kuvendin e Kosovës i kalimit të një dispozite ligjore të kodit civil, e cila legalizonte mundësinë e martesave brenda të njëjtës gjini, tregon qartë se shoqëria kosovare ende demonstron shkallë të lartë të mentalitetit tradicional dhe një mungesë përmbajtësore të kulturës politike të spektrit liberal dhe atij të majtë. Përtej fasadës tonë liberale shpesh fshihet balta e ngjeshur e tradicionalizmit, e pasuruar edhe me elemente të forta mesjetare

Blerim Latifi

Lexo Edhe:

I.

Njëra nga teoritë më të famshme mbi evolucionin e shoqërive njerëzore është teoria e tranzicionit demografik. Kjo teori është formuluar në vitin 1929 nga sociologu amerikan Warren S.Thompson. Në thelbin e saj është ideja se ndryshimet demografike në popullatën e një shoqërie kanë prirjen të ndjekin një proces i cili kalon nëpër tri faza të mëdha.

Në fazën e parë e kemi dukurinë e shkallës së lartë të natalitetit, e cila balancohet nga një shkallë po ashtu e lartë e mortalitetit. Lindin shumë, por në të njëjtën kohë edhe vdesin shumë. Si rezultat shtimi i përgjithshëm i popullatës mbetet gjithmonë në nivele të ulëta.

Në fazën e dytë ky raport balancues midis të lindurve dhe të vdekurve prishet në favor të të parëve: shkalla e natalitetit është më e lartë se ajo e mortalitetit. Në këtë fazë ndodhë shtimi i madh i popullatës. Ky shtim në shumë raste merr tiparet e atij që quhet “bum demografik”.

 Ndërkaq, në fazën e tretë shkalla e mortalitetit mbetet e ulët, por edhe ajo e natalitetit fillon të ulet. Në këtë fazë fillon ai që njihet si “procesi i plakjes së popullatës”.

Këto tri faza u përgjigjen tri modeleve të zhvillimit të shoqërisë njerëzore. Faza e parë u përgjigjet shoqërive agrare paramoderne, e dyta u përgjigjet shoqërive që hyjnë në ciklin e zhvillimit industrial dhe e treta shoqërive që kanë arritur nivele të larta të industrializimit dhe modernizimit.

Në secilën prej këtyre fazave shoqëria njerëzore përpunon mite dhe norma të caktuara morale, për t’u dhënë kuptim lindjeve dhe vdekjeve brenda saj.

II.

Këtu, për qëllimet e këtij shkrimi, ne do të ndalemi tek mitet dhe normat e shoqërive agrare paramoderne.

Në thelbin e tyre këto janë shoqëri tradicionale, pra shoqëri të udhëhequra nga modele veprimi e përfytyrimi që besohet se janë krijuar në një të kaluar të largët heroike dhe shembullore. Shoqëritë tradicionale besojnë se ato duhet të ecin përpara duke ndjekur shembujt dhe zgjidhjet që na vijnë nga kjo e kaluar.

Për shkak se ballafaqohen me fazën e parë të tranzicionit demografik, në këto shoqëri riprodhimi biologjik merr një rëndësi të dorës së parë. Një rëndësi fundamentale. Shkalla tepër e lartë e mortalitetit i shpie shoqëritë tradicionale në kulturën që stimulon lindjen e një numri të madh të fëmijëve. Është e domosdoshme që një familje të ketë sa më shumë të lindur, në mënyrë që të sigurohet mbijetesa e disave në kushtet e mortalitetit të madh.

Duke qenë janë ekonomikisht agrare dhe politikisht militare, në shoqëritë e tilla tradicionale u jepet rëndësi dhe prioritet të lindurve mashkuj. Në këtë kontekst lindin edhe mitet patriarkaliste dhe maskuliniste, të cilat përdoren për të justifikuar kierarkinë dhe pabarazinë vlerore midis mashkujve dhe femrave, midis burrave dhe grave. Në këtë hierarki e pabarazi roli i gruas reduktohet në rolin e një prone në duart e burrit. Ajo është tërësisht e skllavëruar prej tij dhe gjithë kuptimi i ekzistencës së saj është në të qenit një makinë për prodhimin e fëmijëve. Nëse lindë më shumë mashkuj se femra, ajo mund të pretendojë në një nivel minimal respekti. Nëse ndodhë e kundërta, ajo rrezikon të humbas krejtësisht edhe këtë minimum respekti.

Duke qenë se ballafaqohen me sfidën e sigurimit të riprodhimit të tyre biologjik, shoqëritë tradicionale janë shumë intolerante ndaj të gjitha dukurive që e kërcënojnë këtë riprodhim dhe njëra prej këtyre dukurive është ajo e homoseksualitetit.

Këtu qëndron arsyeja themelore pse shoqëritë tradicionale zhvillojnë diskurse shume demonizuese për homoseksualitetin. Në këto diskurse homoseksualiteti gjykohet ose nga pikëpamja teologjike, si një fenomen i shkaktuar tek njeriu nga forcat djallëzore, pra si një fenomen që bie në kundërshtim me vullnetin e Zotit, ose gjykohet nga pikëpamja patologjike, si një fenomen i çrregullimit apo sëmundjes psiko-fiziologjike.

Natyrisht, gjykime të tilla shpien në masa drakonike të trajtimit të homoseksualëve. Historia e shoqërive tradicionale është e mbushur me masakra të kryera mbi homoseksualët, të cilët për të mbijetuar u është dashur të fshihen dhe ta mbajnë në gjendje të sekretit të plotë përmbushjen e orientimit të tyre seksual. Kjo posaçërisht është tipike për shoqëritë tradicionale të epokës mesjetare. Të vetmet raste kur homoseksualitetit nuk i është dashur të fshihet dhe të ekzistojë në formë klandestine, janë rastet kur ai është shfaqur në radhët e sundimtarëve dhe artistokracisë, në duart e të cilëve ka qenë gjithë pushteti politik dhe ekonomik. Shembull tipik të kësaj e kemi atë të Sulltan Mehemetit II, njëri ndër sulltanët më të fuqishëm të Perandorisë Osmane. Edhe pse ishte homoseksual dhe pedofil, diskursi i ashpër i Islamit kundër homoseksualizmit nuk mund ta penalizonte atë, për të vetmen arsye si ai ishte sundimtar absolut dhe askush nuk guxonte të dilte kundër dëshirave të tij. Ka dhjetëra raste të tjera. Në të gjitha mbretëritë dhe në të gjitha fetë e botës.

Diskursi demonizues i shoqërive tradicionale për homoseksualitetetin çuditërisht ka mbijetuar edhe në shoqëritë moderne post-tradicionale, ndonëse sekularizimi i këtyre shoqërive ka ndikuar në masë të madhe në zbehjen e fuqisë së  mitit religjioz për homoseksualitetin.

Ndërkaq, miti tjetër, miti patologjik ende ka një ndikim tepër të madh në këto shoqëri, edhe pse duke filluar nga gjysma e dytë e shekullit të kaluar, në shoqëritë e zhvilluara perëndimore, ka filluar shembja e tij, si rezultat i të gjeturave shkencore të cilat e hedhin poshtë kualifikimin e homoseksualitetit si sëmundje psiko-fiziologjike. Ky zhvillim ka gjeneruar procesin e destigmatizimit, normalizimit dhe legalizimit të homoseksualitetit.  Shoqëritë që ende ndodhen nën ndikimin e botëkuptimeve tradicionale, shfaqin rezistencë të theksuar ndaj akceptimit të këtij procesi dhe kjo rezistencë kryesisht udhëhiqet nga grupacione politike e sociale që identifikohen  me ideologjitë e djathta dhe religjioze, të cilat janë të lidhura shumë me ato që quhen “vlera tradicionale” dhe me nostalgjinë për “kohët e arta” kur këto vlera kanë dominuar në mënyrë të pakontestueshme.

Ndërkaq, janë partitë liberale dhe partitë e majta ato që e afirmojnë këtë proces në programet e tyre politike dhe ideologjike.  Liberalët e bëjnë këtë nga pikëpamja e të drejtave dhe lirive individuale të njeriut, ndërsa të majtit nga pikëpamja e emancipimit të shoqërisë nga traditat konservatore dhe nga pikëpamja e afirmimit të grupeve të margjinalizuara dhe të shtypura të shoqërisë.

Dështimi në Kuvendin e Kosovës i kalimit të një dispozite ligjore të kodit civil, e cila legalizonte të mundësinë e martesave brenda të njëjtës gjini, tregon qartë se shoqëria kosovare ende demonstron shkallë të lartë të mentalitetit tradicional dhe një mungesë përmbajtësore të kulturës politike të spektrit liberal dhe atij të majtë.

Ne rrafshin formalo-juridik ne jemi një shoqëri liberale, por në rrafshin social ne praktikisht ende jemi një shoqëri tradicionale, madje me tendenca të qarta të rikthimit në modele sociale para dhe antimoderne. Përtej fasadës tonë liberale shpesh fshihet balta e ngjeshur e tradicionalizmit, e pasuruar edhe me elemente të forta mesjetare.

Natyrisht, ky hendek midis normës dhe fakticitetit, bashkë me tendencat e përmendura më sipër, do të na shkaktojnë kokëçarje të mëdha në procesin e integrimit europian, kokëçarje të cilat do të jenë kokëçarje të ngadalësimit të demokratizimit real të shoqërisë. Politikanët, që shqetësimin kryesor e kanë sigurimin e votave dhe ruajtjen e privilegjeve të pushtetit, natyrisht nuk janë në gjendje ta mbyllin këtë hendek në funksion të kërkesave që dalin nga procesi në fjalë. Madje, të tillët, po për hir të votave, janë në gjendje që edhe Kuvendin e Kosovës ta kthejnë në një variant të Mexhlisit Iranian.