Terroristi Milan Radojiçiq ka pranuar se ka marrë pjesë në sulmin terrorist të së dielës kundër Policisë së Kosovës dhe se ka kryer të gjitha përgatitjet logjistike, ka thënë avokati i tij Goran Petronijeviq, i cili sot lexoi letrën.
Përmes përfaqësuesit të tij, Radoiçiq ka thënë se së bashku me “bashkatdhetarët e tij në veri të Kosovës, ka ardhur në veri të Kosovës më 24 shtator në zonën e fshatit Banjskë”.
“Arsyeja e kthimit tonë ishte inkurajimi i popullit serb që t’i rezistojë terrorit të regjimit të Kurtit, për të mbrojtur popullin tonë që çdo ditë i nënshtrohej atij terrori dhe për të realizuar ëndrrën për lirinë e popullit tim në veri të Kosovës”, tha ai.
Radojiçiq ka tentuar të mbrojë pushtetin në Serbi, duke thënë se nuk ka qenë i informuar për sulmin terrorist që ai ka ndërmarrë.
“Kam bërë të gjitha përgatitjet logjistike për mbrojtjen e popullit tonë kundër okupatorit dhe akti nuk ka të bëjë me aktivitetet e mëparshme politike. Nuk kam njoftuar askënd nga autoritetet e Republikës së Serbisë, as strukturat politike lokale nga veriu i Kosovës”, thuhet në letrën e Radojiçiq.
Ai thekson se nuk ka pasur asnjë ndihmë prej tyre, pasi tashmë “ka pasur dallime në mënyrën e rezistencës ndaj terrorit të Kurtit”.
Ai mori përgjegjësinë për gjithçka dhe deklaroi se po jep dorëheqje nga pozita e nënkryetarit të Listës Serbe.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, të martën ka publikuar pamje nga droni, ku shihet Radojiciq bashkë me terroristët tjerë te Manastiri i Banjskës.
Sveçla ka thënë se Radojiçiqi është udhëheqësi i grupit terrorist që sulmoi Policinë e Kosovës dhe vrau policin Afrim Bunjaku./Express/