Disa militantë të dyshuar islamikë i vranë së paku 22 persona gjatë natës së kaluar në pjesën lindore të Republikës Demokratike të Kongos. Rebelët në këtë vend po i vazhdojnë sulmet ndaj civilëve, pavarësisht deklaratave të qeverisë për qetësimin e gjendjes së sigurisë.
Hulumtuesit thonë se në sulme të ngjashme janë vrarë 179 civilë që nga koha kur ushtria kongoleze e filloi një ofensivë më 30 tetor kundër të ashtuquajturave Forca Aleate Demokratike, të cilat në të vërtetë janë grup ugandas që vepron në pjesën lindore të Kongos.
Qeveria kongoleze e ka akuzuar këtë grup për sulme të ngjashme për vite me radhë, përfshirë dhjetëra masakra të kryera gjatë natës që nga viti 2014, në të cilat janë vrarë qindra civilë. Operacionet e vazhdueshme ushtarake nuk kanë ndikuar që ky grupi i rrezikshëm militant të shpërbëhet tërësisht.
Richard Kivanzanga, zëvendësadministrator në rajonin Beni, tha se autoritetet i kanë gjetur 22 trupa të pajetë në fshatrat Baoba dhe Ntombi. “Vrasësit kanë vrarë gra, burra dhe fëmijë. Nuk kemi mundur t’i largojmë të gjithë trupat sot, sepse ishim të detyruar të presim për ardhjen e një përforcimi ushtarak”, tha ai.
Rritja e numrit të sulmeve dhe dhunës ka bërë që të mbahen protesta të përgjakshme kundër ushtrisë dhe paqeruajtësve të Kombeve të Bashkuara për shkak të dështimit për t’i mbrojtur civilët, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.