Një nga pijet më të zakonshme të mëngjesit mund të jetë sekreti për një jetë të gjatë. Sipas kardiologut të njohur spanjoll, Dr. Aurelio Rojas, pirja e kafesë në mëngjes mund të rrisë jetëgjatësinë dhe të zvogëlojë ndjeshëm rrezikun për sulm në zemër.
Dr. Rojas, 35 vjeç, i cili punon në Spitalin Rajonal Universitar në Malaga të Spanjës, ndau rezultatet e një studimi të rëndësishëm në Instagramin e tij, ku ndiqet nga më shumë se 400 mijë persona.
Studimi, i kryer nga Qendra e Kërkimeve për Obezitetin në Universitetin Tulane në Nju Orlins, ndoqi 20,000 njerëz për mbi 20 vjet dhe krahasoi rezultatet shëndetësore të atyre që pinin kafe me ata që nuk e konsumonin.
Çfarë zbuluan studiuesit?
Pirësit e kafesë kishin 16% më pak gjasa të ndërronin jetë gjatë dhjetë viteve të studimit.
Ata ishin 30% më pak të rrezikuar nga vdekja për shkak të sëmundjeve të zemrës.
Por kjo mbrojtje vlente vetëm për ata që pinin kafe në mëngjes – ata që e pinin gjatë gjithë ditës nuk përfitonin të njëjtat efekte.
Dr. Rojas shpjegon se kafeina pas mesditës mund të çrregullojë ritmin cirkadian të trupit – ciklin natyror të gjumit dhe zgjimit – duke ndikuar negativisht në hormonin melatoninë dhe kortizol, e duke rritur nivelet e stresit.
“Pra, po – shijoni kafen tuaj herët në mëngjes,” theksoi ai.
Pse është kaq e mirë kafeja për shëndetin?
Kokrrat e kafesë janë të pasura me:
Vitaminat B2 dhe B5, të cilat ndihmojnë në shëndetin e qelizave të gjakut dhe kontrollin e kolesterolit.
Kalium dhe magnez, të domosdoshme për kontrollin e presionit të gjakut dhe nivelit të sheqerit.
Përbërje bimore që ulin rrezikun për diabet tip 2 deri në 10%.
Një studim tjetër i përbashkët mes Universitetit Semmelweis në Hungari dhe Queen Mary në Londër, tregoi se kafeja e mëngjesit ul ndjeshëm rrezikun për goditje në tru.
Sa kafe duhet të pini?
Studime në Singapor treguan se ata që pinin katër filxhanë kafe ose më shumë në ditë, kishin rreth 50% më pak gjasa të bëheshin fizikisht të brishtë në moshë të thyer.
Po ashtu, pirësit e përditshëm të çajit të zi ose të gjelbër kishin 18% më pak mundësi për brishtësi fizike më vonë.
Kombinimi i kafeinës dhe përbërjeve antioksiduese besohet se ngadalëson dëmtimin e qelizave dhe ndihmon në parandalimin e sëmundjeve kronike si sëmundjet e zemrës dhe disa lloje të kancerit.
Kujdes!
Kafeja mund të jetë e dobishme, por vetëm kur konsumohet në mënyrë të moderuar dhe në mëngjes. Konsumimi i tepërt apo në orë të vona mund të shkaktojë pagjumësi, stres dhe çrregullime hormonale. /GazetaExpress/