string(84) "mosha-eshte-vetem-numer-lamine-yamal-nuk-e-kam-problem-te-luaje-ne-kete-nivel-garash"

“Mosha është vetëm numër”, Lamine Yamal: Nuk e kam problem të luajë në këtë nivel garash

Sport

Gazeta Express

29/04/2025 17:40

Ylli i Barcelonës, Lamine Yamal, foli për mediat përpara përballjes gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve ndaj Interit dhe theksoi se nuk ka aspak frikë nga skenat e mëdha, duke nënvizuar se mosha e tij nuk është pengesë. Talenti adoleshent dha dy asistime në finalen e Copa del Rey kundër Real Madridit dhe është kthyer në një lojtar kyç për trajnerin Hansi Flick.

Një nga shqetësimet kryesore për Barcelonën është lodhja pas finales së Kupës. Lamine Yamal pranoi se ajo ndeshje kishte ndikim fizik, por theksoi se emocionet i shtynë përpara ndaj madrilenëve.

Lexo Edhe:

“Është e vërtetë që ajo ditë ishte një nga më të vështirat fizikisht. Në fund, mes tensionit të ndeshjes dhe rëndësisë së saj, këmbët nuk na mbanin më. Kur luan kundër Madridit, zemra të shtyn më shumë se këmbët – kjo është ajo që kemi këtë sezon, ndoshta ajo që na ka munguar më parë,” u shpreh ai.

Yamal hodhi poshtë idenë se Interi do të ndikohet nga tri humbje radhazi në kampionat, duke theksuar se bëhet fjalë për një finale të Ligës së Kampionëve. Ai është gati për ndeshjen e 100-të me fanellën e Barçës – diçka e rrallë për një 17-vjeçar.

“Mendoj se pak lojtarë në moshën time kanë luajtur aq shumë ndeshje për Barçën. Unë vlerësoj mentalitetin për të qenë gjithmonë i motivuar, qëndrueshmërinë dhe nivelin që kam në këtë moshë – jo çdokush e arrin këtë,” tha ai.

Ai tha se nuk ndjen presion apo frikë: “Nuk kam pasur frikë, vetëm motivim përpara ndeshjeve. Frikën e lashë pas në parkun e Matarós shumë vite më parë. Nuk do ta quaja presion – unë dal dhe e shijoj. Ky është momenti im.”

“Te futbolli, mosha nuk ekziston. Nëse je gati, je gati. Është një sport që varet nga cilësia dhe mentaliteti. Ne kemi një ekip të ri, por me nivel shumë të lartë. Mosha është vetëm një numër.”

Yamal komentoi edhe deklaratën e Lionel Messit, i cili e quajti një nga lojtarët më të mirë në botë:

“Nuk kam folur me Messin. Nuk dua të krahasohem me më të madhin në histori. Dua të mbahem mend si lojtar dhe si njeri – të jem i sjellshëm, siç më kanë mësuar prindërit.”

Ai foli me respekt për Raphinhën, i cili i ka dhënë këshilla gjatë sezonit:

“Ishte një mesazh shumë, shumë i gjatë… (qesh). Ishte personal, vetëm ai e dinte. Është një lojtar shumë i rëndësishëm, me përvojë të madhe. Ne të rinjtë përfitojmë shumë nga lojtarë si ai.”

Ai përmendi gjithashtu Inigo Martinez dhe Frenkie de Jong si lojtarë që nuk janë vlerësuar sa duhet:

“Përveç Pedrit dhe Raphinhës… Inigo dhe Frenkie më kanë surprizuar. Janë profesionistë të mëdhenj dhe po luajnë në një nivel të jashtëzakonshëm.”

Nga Interi, ai veçoi dy emra që i pëlqejnë:

“Më pëlqejnë Barella dhe Lautaro. Kur kanë topin, luajnë shumë mirë dhe mbrojnë shumë mirë. Janë një skuadër që më pëlqen ta shikoj.”

Barcelona pret Interin në “Spotify Camp Nou” në një përballje mes dy ekipeve që po përballen me lodhjen fizike. Interi u eliminua javën e kaluar në gjysmëfinalet e Kupës së Italisë dhe vazhdon të garojë për titullin në Serie A. Ndërkohë, Hansi Flick pritet të mos bëjë shumë ndryshime në formacion, edhe pse shtatë lojtarë luajtën mbi 100 minuta në finalen e Copa del Rey./GazetaExpress/