string(92) "mungesa-e-institucioneve-kosova-rrezikon-te-humbase-miliona-euro-nga-plani-i-rritjes-i-be-se"

Lajme

Gazeta Express

26/04/2025 8:49

Mungesa e institucioneve, Kosova rrezikon të humbasë miliona euro nga Plani i Rritjes i BE-së

Lajme

Gazeta Express

26/04/2025 8:49

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulzim Rafuna, paralajmëroi se Kosova është në prag të humbjes së një mundësie të madhe financiare nga Plani i Rritjes së Komisionit Evropian, për shkak të mungesës së institucioneve funksionale në vend.

Rafuna në intervistë për Ekonomia Online tha se vonesat në ratifikimin e marrëveshjes me BE-në për përfitimin e fondeve janë duke rrezikuar investime kapitale dhe përmirësimin e standardit të jetesës.

Lexo Edhe:

“Nga plani i rritjes shuma prej 880 milionë eurove që është paraparë për Kosovën, një parafinancim që quhet nga ana e Komisionit Evropian, ka qenë e paraparë që të financohet, ta merr edhe Kosova sikurse e kanë marrë vendet e tjera. Kosova ka ngelur, për shkak se duhet së pari të ratifikohet marrëveshja me Komisionin Evropian dhe ajo duhet të kalojë me dy të tretat në Kuvendin e Kosovës për ta marrë 7 për qind të 880 milionëshit, shumës totale si parafinancim që i bie mbi 60 milionë euro që ishte dashur t’i marrë shteti i Kosovës nga Plani i Rritjes. Mospasja fuqi të plotë e Kuvendit të Kosovës për sa kohë nuk e kemi Kuvendin fuqiplotë këto mbesin peng, do të vonohen, nuk do të vijnë me kohë dhe nuk do të mund t’i investojmë këto mjete, siç ka qenë e planifikuar, si rezultat i mosratifikimit të marrëveshjes dhe mospasjes së institucioneve të vendit fuqiplote,” tha Rafuna.

Ai bën thirrje për konsensus politik, duke theksuar urgjencën që vendi të dalë nga ngërçi institucional dhe të fillojë të funksionojë plotësisht për të mos humbur, jo vetëm fondet evropiane, por edhe mundësitë për reforma dhe investime të huaja.

“Kosova duhet t’i ketë sa më shpejt që është e mundur institucionet dhe ne bëjmë thirrje që Kosova sa më shpejt t’i themelojë ose t’i krijojë fuqiplotë qeverinë e Kuvendin. Të jenë funksionale, të fillojnë të marrin vendime dhe të ecin në reforma të parapara, jo vetëm me Planin e Rritjes, por edhe me reformat që dalin si rezultat i kërkesës së brendshme, por edhe për thithjen e investimeve të huaja. Mos të mbesim peng që të mos i marrim këto mjete, edhe ashtu jemi duke vuajtur për investime dhe jemi duke vuajtur edhe për marrjen e mjeteve shtesë për ta ndihmuar biznesin e vendit, për ta ndihmuar rritjen ekonomike të vendit dhe për ta përmirësuar standardin jetësor të qytetarëve të Kosovës. Për këtë arsye, i bëjmë thirrje gjitha partive politike që janë pjesëmarrëse në Kuvend që të gjejnë një gjuhë dhe sa më shpejt t’i kemi institucionet në mënyrë që të ecim përpara dhe të mos mbesim prapa me reforma, por edhe me Planin e Rritjes që është paraparë nga Komisioni Evropian,” shtoi ai.

Rafuna ngriti shqetësimin edhe për buxhetin aktual, duke nënvizuar se mungesa e ministrave në pozita dhe një qeveri funksionale po ngadalësojnë zbatimin e projekteve të parapara.

“Brenga tjetër është që edhe mjetet e planifikuara që kanë qenë me buxhetin e shtetit si rezultat i mospasjes së qeverisë fuqiplotë në pozitat ose ministrave në pozitat e tyre, ka filluar që të ketë ngadalësim të implementimit të projekteve të parapara me Ligjin e Buxhetit. Nëse ne ngelim me Planin e Rritjes, nuk mund t’i marrim mjetet, ngelin investimet kapitale që janë të parapara në buxhet të shtetit. Kemi ngelur në investimet e huaja që t’i sjellin vendit tonë investime kapitale. Atëherë, marrë parasysh edhe këtë trendin ose këtë ngadalësimin e rritjes globale për shkak të tarifave të Trumpit, kam frikë që ekonomia jonë do të pësojë gjatë këtij viti”, përfundoi kreu i OEK-ut.