string(108) "mungon-prokurori-i-shtetit-shtyhet-serish-seanca-ndaj-dy-te-akuzuarve-per-huliganizem-ne-protesten-e-2015-es"

Lajme

Gazeta Express

29/04/2025 14:44

Mungon prokurori i shtetit, shtyhet sërish seanca ndaj dy të akuzuarve për huliganizëm në protestën e 2015-ës

Lajme

Gazeta Express

29/04/2025 14:44

Në mungesë të prokurorit të shtetit, ka dështuar të mbahet seanca e së martës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku po akuzohen për huliganizëm Veron Hasani dhe Valmir Osmanaj.

Gjyqtari i rastit, Adnan Kamberi konstatoi se ka prova që prokurori i shtetit është ftuar në mënyrë të rregullt, mirëpo mungesën nuk e ka arsyetuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lexo Edhe:

Ndërsa, të pranishëm ishin dy të akuzuarit Hasani dhe Osmanaj.

Në mungesë të kushteve ligjore për mbajtjen e seancës, gjyqtari Kamberi e shtyu për një datë tjetër.

Seanca e 27 janarit 2025 dështoi në mungesë të dy të akuzuarve. Edhe seanca e 25 marsit 2025, dështoi në mungesë të të akuzuarit Valmir Osmanaj dhe prokurorit të shtetit.

Ndryshe, pjesë e aktakuzës në këtë rast është edhe Egzon Azemi, mirëpo në seancën e 17 dhjetorit 2024 u bë e ditur se ndaj tij është parashkruar vepra penale “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë”.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë të ngritur më 14 korrik 2016, të pandehurit Veron Hasani dhe Valmir Osmanaj, akuzohen se më 12 tetor 2015, gjatë protestës së Vetëvendosjes, me veprime të dhunshme, huligane, kanë hedhur mjete të forta në drejtim të policisë dhe objektit të stacionit policor Qendra, duke thyer kështu xhama dhe dëmtuar muret e këtij objekti, duke shkaktuar dëme e pasoja të rënda.

Për këto veprime, të akuzuarit Hasani dhe Osmanaj po ngarkohen se secili veç e veç kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepra penale dhe huliganizmi” nga neni 412, paragrafi 3 lidhur me paragrafin 4 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Në pikën dy të kësaj aktakuze, ish-asamblisti i Vetëvendosjes, Egzon Azemi, akuzohet se më 12 tetor 2015, gjatë protestës së Vetëvendosjes, me dashje dhe me veprime të dhunshme, huligane, ka hedhur mjete të forta- gurë, kuba të betonit, në drejtim të veturave zyrtare, duke dëmtuar veturën zyrtare e parkuar para objektit të Këshillit Prokurorial.

Për këto veprime, Azemi po akuzohet se ka kryer veprën penale “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë” nga neni 333 par.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.