Në emisionin sportiv “Favorit” në T7 në fundjavën që shkoi u diskutua ndër të tjera edhe për Kombëtaren shqiptare, respektivisht për pjesëmarrjen e saj në Euro 2024.
Panelistët u pajtuan se pjesëmarrja e Kuqezinjve në Kampionat Evropian është më e rëndësishmja, por u shprehën optimistë se trupa e Sylvinhos mund të nxjerrë edhe pikë në Grupin B, ku janë pjesë edhe Spanja, Italia e Kroacia, shkruan “Gazeta Express”.
Analisti i “Favoritit”, Ismet Munishi është i vetëdijshëm se Kuqezinjtë i pret një punë e vështirë.
Sipas tij, në të kaluarën vetëm njëri nga kundërshtarë i binte në grup Shqipërisë, bëhej e madhe dhe “shashtriseshim”, e lëre më tash që të tria në grup.
“Na duhet me shiju me plotkuptimin e fjalës sepse do të jetë diçka spektakolare. Duhet me shiju ndeshje pas ndeshjeje”, u shpreh trajneri kosovar.
Sidoqoftë, Munishi iu uroi suksese djelmoshave të Sylvinhos duke besuar se do të bëjnë paraqitje solide në Euro 2024.
Për ta parë të plotë emisionin “Favorit” në Youtube mund të klikoni më poshtë. /Gazeta Express/
