string(77) "ndeshje-e-rikthimeve-barcelona-triumfon-ndaj-realit-dhe-fiton-kupen-e-mbretit"

Ndeshje e rikthimeve: Barcelona triumfon ndaj Realit dhe fiton Kupën e Mbretit

Sport

Gazeta Express

27/04/2025 1:02

Barcelona ka shënuar fitore me rezultat 3-2 ndaj Real Madridit në kuadër të finales së Kupës së Mbretit.

Pothuajse gjatë tërë pjesës së parë blaugranasit ishin më të rrezikshëm dhe më kërkues duke detyruar Real Madridin që të mbyllet mbrapa për të mos lënë hapësira.

Lexo Edhe:

Pas disa përpjekjeve të njëpasnjëshme, të besuarit e Hansi Flick ia dolën që më në fund të gjejnë golin e epërsisë.

Po luhej minuta e 28-të e takimit kur Lamine Yamal me mençuri bëri një super pasim te Pedri i cili nga jashtë zonës me një goditje të bukur realizoi për 1-0.

Në pjesën e dytë Real Madridi reagoi duke përmbysur gjithçka me dy gola të shënuar.

Fillimisht Kylian Mbappe realizoi për 1-1 në minutën e 70-të nga goditja e dënimit, teksa për epërsinë e ‘Los Blancos’ u përkujdes Aurelien Tchouameni që realizoi me kokë për 2-1 në minutën e 77-të.

Madrilenët nuk ia dolën ta mbajnë rezultatin pasi Barcelona realizoi në minutën e 87-të me Ferran Torres për të barazuar gjithçka në 2-2.

Pak sekonda para fundit të takimit Barcelona fitoi penallti me Raphinhan, por ajo u anulua nga gjyqtari pas rishikimit nga VAR-i.

Të besuarit e Hansi Flick ia dolën ta fitojnë ndeshjen në kohën shtesë duke realizuar për 3-2 në minutën e 117-të me Jules Kounde.

Kjo ishte finalja e dytë këtë edicion që Barcelona e mposht Real Madridin pas triumfit në Superkupën e Spanjës me rezultat 5-2.