Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ka dhënë një intervistë për “La Gazzetta dello Sport” në prag të ndeshjes debutuese të Shqipërisë ndaj Italisë në “EURO 2024”.
Kreu i qeverisë shqiptare të futbollit foli për gjendjen e skuadrës, marrdhëniet e mira me Presidentin e Federatës Italiane të futbollit, Gabriele Gravina, trajnerët italianë që kanë drejtuar Shqipërinë dhe disa tema të tjera.
Presidenti Duka theksoi se Kombëtarja shqiptare është një dhe se forca e skuadrës është grupi.
“Sa më shumë afrohet ndeshja, aq më shumë emocione kemi të gjithë. Padyshim është një ndeshje shumë e rëndësishme, është sfida e parë. Situata e skuadrës është shumë e mirë, gjendja emocionale dhe shëndetësore është e mirë. Të shohim, pa përjashtuar edhe emocionet e rastit”, tha ai fillimisht.
Tutje, Duka vazhdoi të flasë për ndeshjen ndaj Italisë, duke e respektuar në maksimum.
“Ndeshja është e bukur sepse luajmë kundër një vendi me histori në futboll, kundër një vendi mik dhe që kemi marrëdhënie shumë të mira jo vetëm sportive por nga të gjitha këndvështrimet. Shumë shqiptarë jetojnë në Itali. Të gjitha këto e bëjnë akoma më interesante ndeshjen. Por luajmë kundër kampionëve të Europës dhe është shumë e bukur të luash kundër kampionëve të Europës. Për mua është bukur por e vështirë. Ne e njohim realitetin e skuadrës Italiane, e njohim sa e mirë është. Është bukur që t’i sfidojmë dhe të përpiqemi të bëjmë më të mirën që të kënaqim sa më shumë ato që do të jenë në stadium dhe para ekraneve.”
Presidenti i FSHF-së foli edhe për marrëdheniet e tij të mira me homologun e tij italian.
“Nuk do të doja kurrë që të isha në pozicione kundërshtare me Gravinën, pasi marrëdhëniet e mia me Gravinin janë fantastike. Unë e vlerësoj shumë si President, si njeri dhe si mik. Por futbolli prandaj është i bukur pasi të vendos përballë shpeshherë edhe me vëllain, jo më me shokun apo me mikun. Do jemi vetëm për 90-të minuta kundërshtarë, ne jemi gjithmonë bashkë si miq dhe për të mirën e futbollit.
Duka foli edhe për obsesionin e Shqipërisë me trajnerët italian.
“Të gjithë kanë pasur kontribute pozitive dhe kanë sjell zhvillim në futbollin shqiptar. De Biazin nuk mund ta harrojmë sepse ne për herë të parë në një kompeticion të rëndësishëm Europian shkuam me De Biazin. Reja gjithashtu ka bërë një punë të mirë, ka bërë rezultate të mira, ka bërë zhvillim dhe një lloj rinovimi të skuadrës. Ne jemi këtu si rezultat i punës së vazhdueshme të të gjithëve, stafeve, Federatës dhe futbollistëve”
Shqipëria e Italia luajnë sonte me fillim nga ora 21:00 në Dortmund./GazetaExpress/