string(96) "negociatat-me-limajn-per-qeveri-bajqinovci-nuk-do-te-shkoj-as-10-dite-do-te-konstituohet-kuvendi"

Negociatat me Limajn për qeveri, Bajqinovci: Nuk do të shkoj as 10 ditë do të konstituohet Kuvendi

Lajme

Gazeta Express

29/04/2025 22:51

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci është shprehur i bindur se brenda dhjetë ditësh do të ketë zhbllokim të situatës aktuale politike të Kosovës.

Sipas Bajqinovcit, propozimi i Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu shumë shpejt do të votohet për kryetare të Kuvendit të Kosovës.

Lexo Edhe:

Ai ka shtuar se momentalisht është duke u diskutuar për modalitetet e marrëveshjeve për koalicionin qeverisës me Nismën.

“Ne kemi diskutime me Nismën dhe me partitë minoritare edhe unë besoj që hapi i rradhës them gjithmonë pas konstituimit të Kuvendit unë besoj shumë që nuk do të shkoj larg dhe do ta kemi të votuar kryetarin e Kuvendit, në këtë rast Albulena Haxhiun. Pra nuk do të shkoj i bindur jam as dhjetë ditë dhe do të kemi një zhbllokim dhe unë besoj që është duke u diskutuar për modalitetet e marrëveshjeve për koalicionin qeverisës. Nuk besoj që do të kemi bllokadë të gjatë”, ka thënë ai në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1.

Ndryshe, Kuvendi i Kosovës për të tetën herë me radhë ka dështuar të konstituohet, pasi Lëvizja Vetëvendosje nuk arriti të sigurojë shumicën e thjeshtë të nevojshme për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, për të gjashtë herë nuk mori mbështetjen për postin e kryeparlamentares. Kësaj radhe, ajo mori 54 vota për, 44 kundër dhe 3 abstenuan.

Në seancat paraprake, për të kishin votuar 57 deputetë por kësaj radhe disa deputetë të LVV-së munguan.