Historia nuk ndërtohet nga ata që i përshtaten rrjedhës së kohës, por nga ata që guxojnë ta ndërpresin atë. Janë individët dhe kolektivitetet që, përballë rrezikut ekstrem, zgjedhin të mos përkulen, të mos heshtin dhe të mos negociojnë me padrejtësinë. Në këtë kuptim, Adem Jashari dhe familja e tij nuk përfaqësojnë thjesht viktima të një dhune shtetërore, por subjektin historik të lirisë së Kosovës. Sakrifica e tyre nuk ishte pasojë e rastësisë, por akt i vetëdijshëm që i dha kuptim politik dhe moral rezistencës.
Shkruan: Naim Jakaj
Guximi, në formën e tij më të thellë, nuk është ndjenjë e çastit dhe as shpërthim individual i heroizmit. Njësia themelore e guximit është koha. Ai është përkushtim afatgjatë ndaj një të vërtete që e tejkalon interesin personal dhe e transformon realitetin shoqëror. Një ngjarje e tillë ndodh atëherë kur rendi ekzistues çahet dhe hapet mundësia e një bote të re. Prekazi, më 5, 6 dhe 7 mars 1998, ishte pikërisht një moment i tillë historik, një “ngjarje” në kuptimin filozofik që Alain Badiou i jep këtij termi. Ajo shënoi çastin kur historia e Kosovës hyri në një fazë të pakthyeshme.
Adem Jashari veproi nga besnikëria ndaj një të vërtete themelore. Kjo e vërtetë ishte liria. Një e vërtetë që nuk ekzistonte thjesht si aspiratë morale, por që u shfaq si domosdoshmëri historike në një moment kur rendi ekzistues duhej thyer. Siç ndodh në çdo ngjarje themeluese, e vërteta del në dritë si një shfaqje e paprecedentë që prish rendin botëror dhe hap mundësinë e një bote tjetër. Kjo e vërtetë e kishte formësuar qëndrimin e Adem Jasharit dhe e kishte shndërruar rezistencën në mënyrë të vetëdijshme të të jetuarit. Për vite me radhë, ai përgatiti jo vetëm veten, por edhe bashkëluftëtarët, komunitetin dhe vetë idenë e rezistencës si domosdoshmëri historike, duke i qëndruar besnik kësaj të vërtete deri në fund.
Qëndrimi përballë dhunës nuk ishte thjesht refuzim fizik, por akt etik dhe politik. Adem Jashari nuk u fsheh, nuk kërkoi kompromis dhe nuk pranoi arratisjen si zgjidhje. Ai nuk e pa veten si viktimë, por si subjekt politik që kishte zgjedhur me vetëdije fatin e tij. Kur forcat serbe rrethuan shtëpinë e tij me tanke dhe armatim të rëndë, ai nuk u dorëzua, sepse e dinte se dorëzimi do të nënkuptonte mohimin e së vërtetës për të cilën kishte jetuar. Pikërisht kjo besnikëri ndaj së vërtetës, pavarësisht çmimit, përbën thelbin e guximit në kuptimin që Badiou do t’i jipte.
Qëndresa në Prekaz, më 5, 6 dhe 7 mars 1998, ishte thellësisht kolektive. Rreth Adem Jasharit qëndroi familja e tij dhe bashkëluftëtarët, të gjithë të përkushtuar ndaj së njëjtës të vërtetë dhe të njëjtit ideal lirie. Në këtë bashkim, guximi nuk mbështetej te figura e një njeriu të vetëm, por te një subjekt kolektiv që kishte zgjedhur t’i qëndronte besnik së vërtetës edhe përballë shkatërrimit. Në atë moment historik, Adem Jashari nuk ishte thjesht një njeri që po mbrohej; ai u shndërrua në figurë përfaqësuese të një populli që kishte vendosur të mos nënshtrohej më.
Rënia e tij nuk përfaqësoi fundin e rezistencës, por fillimin e një faze të re historike. Shtëpia u shkatërrua, por nga rrënojat e saj u ngrit një betim kolektiv. Prekazi është moment shembulli tipik i përmbysjes dialektike kur sasia bëhet cilësi, e inercioni i kohës lineare moment ndërprerjeje. Nëse një ngjarje matet nga fuqia e saj për të ndryshuar historinë, atëherë ato data ishin ngjarja themeluese e luftës çlirimtare të Kosovës. Pas asaj dite, rezistenca nuk ishte më çështje e një grupi të vogël luftëtarësh, por u shndërrua në lëvizje gjithëpopullore.
Adem Jashari nuk ra rastësisht dhe as nuk u përball me një fat të papritur. Ai ishte i përgatitur për këtë përballje dhe e kishte pranuar pasojën e zgjedhjes së tij. Për Badiou-n, guximi është kurajo dhe përkushtim për të vërtetën, luftë kundër forcave që synojnë të shuajnë të vërtetën. Në Prekaz, e vërteta e Kosovës nuk u shua. Ajo u skalit përmes sakrificës, duke u bërë themel i luftës që do të çonte drejt lirisë.
Pas rënies së tij, shoqëria kosovare nuk u thye nga frika. Përkundrazi, ajo u konsolidua. Fryma e Adem Jasharit u shndërrua në thirrje për veprim dhe përgjegjësi historike. UÇK-ja u bë një forcë e pandalshme, sepse tani ajo mbështetej mbi një dëshmi të pakontestueshme të sakrificës dhe domosdoshmërisë së luftës.
Pikërisht këtu mund të përcaktohet ekzistenca e një ngjarjeje historike, jo nga vetë momenti i saj, por nga fuqia që ajo fiton për të prodhuar vazhdimësi, për të krijuar subjekt, për të ndryshuar drejtimin e historisë. Prekazi mori substancë të vërtetë në mënyrën se si u shndërrua në pikë referimi kolektive, në themel të një lëvizjeje që nuk mund të kthehej më pas.
Sot, emri i Adem Jasharit nuk është vetëm kujtesë historike, por testament politik dhe moral. Nderimi i kësaj sakrifice nuk është akt ceremonial, por qëndrim ndaj së vërtetës që ajo solli në dritë. Guximi që ajo mishëron nuk është vetëm përballje me të keqen, por akt themelues i një bote të re. Adem Jashari nuk luftoi për një liri të përkohshme, por për një Kosovë të lirë në mënyrë të pakthyeshme. Detyra jonë është të mbetemi besnikë ndaj kësaj të vërtete.
Historia e tij dhe e familjes së tij, na kujton se liria nuk është dhuratë. Ajo është rezultat i guximit për të marrë përgjegjësi historike. Dhe ky është amaneti i Adem Jasharit: guximi për të mos jetuar ndryshe veçse i lirë.
Autori: Naim Jakaj ka studiuar Sociologji dhe Drejtësi. Ai ka një përvojë të gjatë të punës në Kuvendin e Kosovës, si koordinator dhe si këshilltar në fushën e praktikës parlamentare, çështjeve sociale dhe të drejtësisë në Kosovë. Aktualisht është Hulumtues i Lartë dhe Menagjer i Programit në Institutin e Kosovës për Drejtësi në kuadër të Programit Qeverisja e mirë.