Nipi i legjendës së boksit, Luan Krasniqit, Ardiani do të përjetojë një nga meçet më të mëdha të karrierës gjatë të shtunës mbrëma.
Ardian Krasniqi do të ndeshet me argjentinasin, Diego Ramirez, shkruan “Gazeta Express”.
Gjatë ditës së sotme janë bërë matjet zyrtare, para meçit kryesor të natës së nesërme.
30-vjeçari Ramirez ka 27 fitore në karrierën e tij, gjashtë prej tyre me nokaut, derisa ka edhe 12 humbje, prej tyre në katër është mposhtur me nokaut.
Në anën tjetër, Krasniqi nga 10 ndeshje ka 10 fitore, të dhjetat me nokaut.
Meçi do të luhet në kuadër të WBO International, me Krasniqin që synon ta mbrojë titullin e kampionit, me luftën që do të zhvillohet në Stuttgart të Gjermanisë.
Krasniqi ka folur para meçit, duke thënë se tani është koha që ta arrijë ëndrrën e kahmotshme.
“Në shtator 2024 fitova titullin WBO International në kategorinë gjysmë të rëndë. Me një rekord të pastër prej 10 fitoreve në 10 duele – të gjitha me nokaut – tani ndjek ëndrrën time: të bëhem kampion bote!”, tha ai.
Tutje, ai bën me dije arsyen se pse iu fut këtij sporti.
“Xhaxhai im, Luan Krasniqi – legjendë e boksit, kampion i Europës dhe sfidues për titull bote – ka qenë gjithmonë frymëzimi im më i madh dhe arsyeja pse hyra në këtë sport”, përfundoi ai.
Meçi i Ardian Krasniqit me Diego Ramirez do të transmetohet në Televizionin “T7”, nën komentimin e doajenit të gazetarisë, Agim Kasapollit./GazetaExpress/