string(124) "nje-muaj-paraburgim-ndaj-tre-te-dyshuarve-per-krime-lufte-kishin-maltretuar-te-burgosurit-ne-burgun-e-prishtines-e-ne-lipjan"

Një muaj paraburgim ndaj tre të dyshuarve për krime lufte, kishin maltretuar të burgosurit në burgun e Prishtinës e në Lipjan

Lajme

Gazeta Express

24/04/2025 13:45

Gjykata Themelore në Prishtinë të enjten ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji për B.T., M.I. dhe N.C., të dyshuar për krime lufte kundër popullatës civile gjatë luftës në Kosovë, më 1998/1999.

Të pandehurit dyshohen se gjatë kohës së luftës, në cilësinë e gardianëve të burgut të Prishtinës dhe paraleles në Lipjan, në bashkëkryerje me persona të tjerë zyrtarë, kanë torturuar në mënyrë ç’njerëzore të burgosurit shqiptarë.

Lexo Edhe:

Sipas aktvendimit të gjykatës, dyshimi i bazuar lidhet me veprime sistematike të maltretimit, përmes përdorimit të shkopinjve të gomës, shufrave metalike, shqelmave dhe grushteve, deri në alivanosje, duke u shkaktuar lëndime trupore viktimave.

E pandehura N.C. akuzohet për veprime të ngjashme kundër të burgosurave shqiptare, duke shkelur të drejtën ndërkombëtare humanitare dhe duke vepruar në bashkëkryerje me gardiane të tjera.

Gjykata ka vlerësuar se ekziston rreziku real që të pandehurit mund të arratisen, të ndikojnë mbi dëshmitarët, apo të dëmtojnë provat materiale nëse ndodhen në liri, prandaj ka konsideruar se masa e paraburgimit është e domosdoshme për zhvillimin e mbarë të procesit penal.