Një zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit në një përgjigje ekskluzive për Gazetën Express, të pyetur rreth njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Kenia dhe për veprimet kundërshtuese të Serbisë, ka thënë se Washingtoni zyrtar prej kohësh e ka përkrahur rrugën e Republikës së Kosovës për t’u bërë një vend sovran, demokratik, multietnik dhe i begatë, shkruan Gazeta Express.
Deri më 26 mars 2025, Izraeli kishte qenë vendi i fundit që kishte njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës në një hark kohor prej pesë vitesh. Një prej njohjeve më të rëndësishme për Kosovën që mbante vulën e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, e që doli si rezultat i Marrëveshjes së Washingonit të arritur në vitin 2020, u pasua nga njohja e Republikës së Kenias, një shtet afrikan të cilin e bindi kreu i AKR-së dhe ish-presidenti, Behgjet Pacolli.
Një ditë pasi presidenti i Kenias, William Rutto, nënshkroi letrat për njohjen e pavarësisë, në ministrinë e Punëve të Jashtme të Kenias kishte zbarkuar ambasadorja e Serbisë, Danijela Cubrilo Martic, për të protestuar kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Kenia.
Kjo veprimtari e vazhdueshme e Serbisë kundër pavarësisë së Kosovës është kritikuar hapur nga ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Jorn Rohde, duke thënë se është shkelje e Marrëveshjes se Brukselit e arritur në vitin 2023.
“Reagimi i Serbisë, siç e përmendët, është shkelje e rëndë e nenit të katërt të marrëveshjeve të Brukselit për të mos e bllokuar anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare”, ka thënë Ambasadori gjerman.
Ndërkohë nga Brukseli zyrtar kanë thënë se janë në dijeni për veprimet e Serbisë, por s‘kanë pasur ndonjë qëndrim kritik.
Por cili është qëndrimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vendit aleat të Kosovës që ka ndihmuar shtetin më të ri në botë në marrjen e njohjeve të reja dhe në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar?
Në një përgjigje ekskluzive për Gazetën Express nga Departamenti Amerikan i Shtetit, e para për një media të Kosovës që kur diplomacia amerikane drejtohet nga Sekretari, Marco Rubio, të pyetur për njohjen e Kenias dhe për veprimet destruktive të Serbisë, kanë thënë se SHBA e ka mbështetur prej një kohe të gjatë Kosovën për t’u bërë shtet sovran, demokratik e prosperues.
“Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur prej kohësh rrugëtimin e Kosovës për t’u bërë një vend sovran, demokratik, multietnik dhe i begatë”, ka thënë për Gazetën Express një zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit.
Kreu i AKR-së Behgjet Pacolli më 26 mars 2025 kishte publikuar fotografi nga Nairobi për të lajmëruar një njohje të re, për të cilën Kosova kishte pritur shumë gjatë. Pacolli kishte ftuar institucionet e Republikës së Kosovës që sa më shpejt të vepronin për vendosjen e raporteve diplomatike me Kenian, duke sugjeruar edhe pasjen e një Ambasade të përbashkët me atë të Shqipërisë në Nairobi.
“I bëj thirrje Qeverisë së Kosovës që menjëherë të vendosë marrëdhënie diplomatike me Kenian dhe të hapë një Ambasadë të përbashkët me Republikën e Shqipërisë në Nairobi. Kosova duhet të jetë prezente aty ku respektohet dhe mbështetet – në zemrën e Afrikës! Kjo ambasadë do të jetë porta e Kosovës për të hyrë fuqishëm në kontinentin afrikan, për të ndërtuar aleanca të reja politike, ekonomike dhe kulturore”, kishte shkruar Pacolli.
Njohja e Kosovës nga Kenia, e ka çuar numrin zyrtar të njohjeve në plotë 118./GazetaExpress/