“Sot, flamuri ynë i shtetit ngrihet lart me krenari në Nairobi”, njoftoi pardje ish-presidenti Behgjet Pacolli për njohjen e fundit pas pesë vitesh për Kosovën. Ai publikoi fotografi nga ceremonia e nënshkrimit të këtij vendimi nga presidenti i Kenisë, William Rute, bashkë me të në Shtëpinë e Shtetit në Nairobi. S’vonoi shumë, ky vendim u publikua nga presidentja Vjosa Osmani, e cila tha se kjo shkresë zyrtare i kishte arritur në zyrë para pak kohësh. Pacolli e pa live nënshkrimin e letrës së njohjes, por për këtë njohje u shfaq lakmi edhe në Prishtinë.
Alma Baxhaku
Njohja e re nga shteti afrikan pas pesë vitesh ngecje për të siguruar njohje të reja për shtetin nxiti beteja për merita te bartësit e institucioneve.
Ish-presidenti Pacolli tha se që nga viti 2009 ishte përpjekur që ta bëjë realitet këtë ditë.
“Kjo fitore nuk erdhi rastësisht. Ajo është fryt i një pune të gjatë, të palodhur, me përkushtim e sakrificë. Që nga viti 2009, unë personalisht kam lobuar dhe kam biseduar me autoritetet keniane për ta bërë këtë ditë realitet. Kam shkuar derë më derë, zyrë më zyrë, me vetëm një qëllim – të bëjë të njohur zërin dhe të drejtën e popullit të Kosovës për liri, pavarësi dhe sovranitet”.
Pacolli në këtë postim shprehu falënderim për presidentin Rute që e mbajti fjalën.
“Presidenti William Ruto, i qëndroi fjalës së dhënë në vitin 2016. Ai e vizitoi Kosovën në vitin 2019 dhe e ndjeu fuqinë dhe vendosmërinë e popullit tonë. Në vitin 2023, gjatë vizitës time në Nairobi, ai e bëri hapin e parë duke njohur pasaportat tona. Sot, në një ceremoni madhështore, ai e tha me zë të lartë: Kosova është shtet i njohur nga Kenia!”.
Falënderim tjetër Pacolli pati për krerët e Shqipërisë prej të cilëve tha se mori mbështetje shtetërore – një ankesë e aluduar për krerët e Kosovës.
“Një falënderim të veçantë dua t’i shpreh edhe Shqipërisë, presidentit Begaj dhe kryeministrit Edi Rama të cilët më kanë dhënë mbështetje shtetërore”.
Në anën tjetër, Presidentja Osmani dhe Kryeministri Kurti ia njohën Pacollit kontributin e tij në këtë proces.
“Një mirënjohje e veçantë shkon për të gjithë ata që kontribuuan në këtë proces. Falënderim të veçantë për angazhimin e vazhdueshëm të ish-Presidentit dhe ish-ministrit të punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli”, shkroi Osmani.
Megjithatë, Osmani s’e la veten jashtë hises së meritave.
Ajo tha se kryefjalë në takimet me homologun e saj kenian e ka pasë njohjen e Kosovës.
“Përgjatë këtyre viteve, kam zhvilluar disa takime të rëndësishme me të, dhe në të cilat njohja e Kosovës ka qenë temë kryesore e diskutimeve. Presidenti Ruto vazhdimisht siguronte popullin e Kosovës se vendimi për njohje do të merret shpejtë, bazuar në të drejtën ndërkombëtare dhe në sakrificën e gjatë të popullit tonë”.
Burrit të presidentes, Prindon Sadriu, më pas i pëlqeu se si iu referua Pacollit komunikata zyrtare e lëshuar nga Kenia për njohjen e Kosovës – ‘i dërguar i presidentes Osmani’.
“Kenia e ka njohur Republikën e Kosovës! Ministria e Jashtme e Kenias deklaroi: “Presidenti William Ruto sot është takuar me të dërguarin special të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, në Shtëpinë e Shtetit në Nairobi”, ku u mbajt deklarata për njohjen e Kosovës”, shkroi Sadriu në X, duke publikuar tri fotografi të Osmanit me Ruten nga takimet e tyre.
Edhe kryeministri Albin Kurti la të nënkuptohej se për këtë sukses në diplomaci ka hisedarë.
“Njohja e Republikës së Kosovës nga shteti i Kenias na gëzon të gjithëve dhe është lajm shumë i mirë për Republikën. Falënderoj presidenten e vendit Vjosa Osmani dhe ish-presidentin Behgjet Pacolli për rolin e tyre, krahas edhe të gjithë atyre që kontribuuan në këtë arritje”, shkroi Kurti.
Kryediplomatja e Kosovës, Donika Gërvalla, që e “mirëpriti” vendimin e shtetit të Kenias nuk përmendi hiç për hiç Pacollin, por tha se kjo e tregon përparimin që ka bërë diplomacia kosovare për forcimin e pozitës së saj ndërkombëtarisht.
“Mirëpresim vendimin e Republikës së Kenias për të njohur zyrtarisht Republikën e Kosovës, një lajm i rëndësishëm që thekson përparimin dhe forcimin e pozitës sonë në skenën ndërkombëtare dhe në kontinentin afrikan”, tha Gërvalla.
Ajo la përshtypjen se fillin ky vendim e ka te një takim i përbashkët i saj me presidenten Osmani dhe me ish-presidentin e Kenias.
“Nga takimi i parë që kemi pasur në vitin 2021 bashkë me Presidenten Vjosa Osmani me ish-Presidentin Uhuru Kenyatta, kemi parë rrugën graduale drejt njohjes reciproke”.
Departamenti i Jashtëm i shtetit të Kenias njoftoi në X vendimin e saj për njohjen e Kosovës, duke përmendur vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.
“Kenia e ka njohur Kosovën në interes të paqes dhe sigurisë ndërkombëtare, integritetit territorial dhe në avancimin e forcimit të marrëdhënieve me vendet e Ballkanit”, thuhet në këtë njoftim.
“Në këtë drejtim, Presidenti William Ruto u takua sot me të dërguarin special të presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, Behgjet Pacolli, në Shtëpinë e Shtetit”.