string(74) "normalizimi-kosove-serbi-ne-driten-e-punetoreve-rae-te-spitalit-isa-grezda"

Normalizimi Kosovë-Serbi në dritën e punëtorëve RAE të spitalit “Isa Grezda”

OP/ED

Gazeta Express

28/04/2025 9:52

Duke forcuar përfshirjen e komuniteteve dhe drejtësinë sociale, normalizimi i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë mund të sjellë përfitime jo vetëm për paqen rajonale, por edhe për kohezionin dhe barazinë brenda vet Kosovës.

Shkruan: Nora Gjuzi

Janë punëtore të higjienës në spitalin “Isa Grezda” në Gjakovë. Janë gra nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian. Përballen me vonesa në pagesa dhe pasiguri në marrëdhëniet e punës.

Situata të tilla janë të njohura në sektorin e punës në Kosovë. Siç tregojnë hulumtimet, aq më shumë kur kemi të bëjmë me punëtorë nga komunitetet RAE.

Në spitalin “Isa Grezda” janë detyruar edhe të protestojnë  dhe të mbajnë greva. Sebahate Quni është njëra prej tyre. Puna e saj nuk u pagua për shkak të kontesteve kontraktuese midis punëdhënësit publik dhe kompanisë private.

Institucionet përgjegjëse nuk veprojnë. Pagat nuk vijnë. Sindikalistët madje fillojnë të dyshojnë për diskriminim mbi baza etnike. Si Sakibe Hoti.

Këto probleme janë kthyer në një çështje kronike që kanë nevojë për zgjidhje të qëndrueshme institucionale. Sfidat në arsim, në gjendjen e rëndë socio-ekonomike, shëndetësi, punësim dhe martesat e hershme, vazhdojnë të jenë të pranishme, duke e bërë të domosdoshme ndërmarrjen e masave konkrete dhe afatgjata për përmirësimin e situatës.

Një nga çështjet thelbësore për përmirësimin e kushteve të komuniteteve rom, ashakli dhe egjiptian mbetet përfshirja aktive e tyre në të gjitha sferat e jetës publike dhe institucionale. Në këtë kontekst, rregullimi institucional i të drejtave dhe kompetencave të komuniteteve është një hap i rëndësishëm drejt përmirësimit të kushteve të tyre. Por jo vetëm.    

Si parakusht nevojitet një kornizë që mundëson shoqëri inkluzive dhe të pajtimit. Këtë e ka projektuar së pari Pakoja e Ahtisarit, prej të cilit ka derivuar modeli kushtetues i Kosovës së sotme.

Së dyti është normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Konsultimi i komuniteteve joshumicë shqiptare dhe serbe, përkatësisht integrimi i komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në këtë dinamikë fuqizon kohezionin shoqëror dhe legjitimitetin e institucioneve.

Ulja e tensioneve midis Kosovës dhe Serbisë do të mundësonte që vëmendja politike të përqendrohej më shumë në sfidat e brendshme. Në një periudhë stabiliteti, Qeveria e Republikës së Kosovës do të mund t’i jepte përparësi më të madhe barazisë së mundësive, qasjes në arsim, punësim dhe shërbime sociale për komunitetet RAE, në vend që të përqendronte burimet e saj në çështjet e sigurisë apo të diplomacisë.

Normalizimi i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë mund të bëhet një katalizator për ndryshim edhe për komunitetet RAE. Zbatimi i marrëveshjeve në dialogun e Brukselit është tashmë edhe kushtëzim për përparimin e Serbisë dhe Kosovës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Prandaj, procesi i normalizimit të lehtësuar nga Bashkimi Evropian shoqërohet me ‘evropianizim’, reforma institucionale, forcimin e shtetit ligjor dhe të drejtave të njeriut. Kësisoj, ai përfshin luftën kundër diskriminimit dhe përmirësimin e respektimit të të drejtave të njeriut, në fusha thelbësore për komunitetet RAE, të cilat shpesh përballen me margjinalizim dhe përjashtim.

Duke forcuar përfshirjen e komuniteteve dhe drejtësinë sociale, normalizimi i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë mund të sjellë përfitime jo vetëm për paqen rajonale, por edhe për kohezionin dhe barazinë brenda vet Kosovës.

Si i tillë, ky është interes i perbashkët. Edhe i atyre që administrojnë dhe punojnë në spitalin “Isa Grezda” në Gjakovë.

(Autorja është gazetare në Radiotelevizionin e Kosovës (RTK). Ky publikim u mundësua në kuadër të projektit “Dialogue, Solution, Future”, me mbështetjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës Federale të Gjermanisë, të implementuar nga Iniciativa e Re Sociale (NSI) dhe Instituti për Politika Sociale Musine Kokalari. Përmbajtja nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës Federale të Gjermanisë).