Sa më shumë normalizim, edhe shoqëror dhe ndërfqinjësor, aq më shumë mund të kemi normalizim edhe ndërkomunitarë. Më shumë zhvillim dhe punësim. Sidomos për ashkalinjtë. Sidomos nga normalizimi midis Kosovës dhe Serbisë.
Shkruan: Selamir Qerimi
“Selamir, ti nuk je si të tjerët, je si ne”. Kjo është fjalia që kam dëgjuar shpesh në shkollë fillore dhe të mesme. Sikur më thuhej se nuk isha sikurse pjesëtarët e tjerë të komunitetit tim ashkali, se isha “më i mirë”.
Nuk e mohoj se kjo më bënte krenar dhe i lehtësuar. Se besoja që isha ndryshe. Se kisha kaluar përtej kufijve të komunitetit tim dhe kisha status të veçantë. Ç’gëzim! Pranohesha nga të tjerët që më shihnin si “nga të vetët”.
Por tani, kur e kujtoj, ndiej turp. E kuptoj që ky lloj veçimi nuk ishte nderim, por pohim i pastër racist.
Kjo përvojë ishte zgjim i hidhur. E kuptova se ajo që më dukej vlerësim ishte në të vërtetë një formë diskriminimi i përbrendësuar. Kisha pranuar pa e kuptuar narrativën se komuniteti im ishte “inferior” dhe se suksesi im matej me largësinë që krijoja nga ai.
Kjo më bëri të distancohesha dhe të përpiqesha të përputhesha me pritshmëritë e “superiorëve”, duke refuzuar pa dashje një pjesë të identitetit tim. Ky diskriminim i përbrendësuar nuk ishte i padëmshëm. Ndikoj në vendimet e mia, në mënyrën sesi e shihja veten dhe ambiciet e mia.
Një përvojë të tillë e përjetojnë ashkalinjtë edhe në zonat me shumicë serbe. Në mesin e “superiorëve” të tjerë.
Të jetosh si “inferior” midis dy “superioriteteve” antagoniste në kërkim të normalizimit të marrëdhënieve të tyre. Ky është pothuajse realiteti i çdoditshëm i ashkalinjve. Apo ishte së paku i imi.
Por sado që unë përpiqesha ta zhdukja veçorinë time në sytë e “superiorëve”, ajo ishte aty. E ndieja. Sidomos kur fjala ishte për publiken, shoqëroren, shtetëroren. Për integrim, përfaqësim, përfshirje në të përbashkëtën. Aty ku nuk ndjehesha “më i mirë” se pjesëtarët e tjerë të komunitetit tim. Ku isha Selamir ashkaliu.
Që stigmatizimi dhe paragjykimi edhe si subjektiv shpie në (vetë)përjashtim e përjetova që në shkollë të mesme. Kur ëndërroja të regjistrohesha në Akademi Ushtarake. Ishte një thirrje që ndieja thellë. Një dëshirë për disiplinë dhe për t’i shërbyer vendit. Por, sa herë që mendoja për këtë hap, druaja dhe frikësohesha. Jo nga sfidat fizike dhe intelektuale. Por nga paragjykimi mbi paragjykimin. Se do të shihesha si ashkali. Më tmerronte ideja e paragjykimit. Se një ditë, herët apo vonë, do të ballafaqohesha me atë siç shihesha me të vërtetë.
Nuk e mora guximin të aplikojë. Binda veten se ndoshta nuk ishte rruga e duhur, se ndoshta nuk e doja aq shumë këtë profesion. Arratisje nga frika.
Përbrendësimi aq i thellë i paragjykimit më bëri të jem unë vetë pengesa më e madhe për veten time. Kur e kuptova se ishte e pamundur të vazhdoja. Duhej të gjeja një mënyrë për ta thyer këtë zinxhir dhe për ta rifituar atë që më ishte mohuar – jo nga të tjerët, por nga vetja ime.
Fillova të punoj në rikuperimin e besimit te vetja. Madje, shumë vonë e kuptova se suksesi nuk matet nga largimi prej kulturës sime, por sa shumë mund të shfrytëzojë atë që ajo më ofron për të rritur potencialin tim.
Ky ishte momenti kur fillova të kërkoja mundësi që më lidhin me pasionin tim, me atë që më përkiste. Derisa mundohesha ta zhvilloj veten dhe të sfidoj normat, mësova se mundësitë që ofrohen janë të pafundme për ata që guxojnë t’i thyejnë barrierat e vendosura nga të tjerët.
Vendosa për gazetarinë. E dija se ky ishte një hap i guximshëm, por gjithashtu një mundësi për t’u shprehur dhe për të sfiduar perceptimet që kisha për veten. Gazetaria më ofroi mundësinë për ta ndërruar qasjen dhe për të luftuar për të drejtat e atyre që shpesh nuk kanë mundësi të flasin për veten.
Gjatë rrugëtimit tim profesional jam përballur me momente sfiduese, por edhe me momente që më ndihmuan ta kuptojë më mirë vetën time si gazetar, por para së gjithash si individ.
Një nga përvojat që më duhet të theksojë ishte një intervistë pune në një media. Pas një bisede të gjatë, personi përgjegjës shqyrtoi aplikimin tim dhe më tha: “Më vjen mirë që je pjesë e komunitetit ashkali dhe dua të të kem në ekip”. Në fillim, fjalët e tij m’u dukën si një portë mikpritëse. Por sa më gjatë që i bluaja në mendje, aq më shumë ndjeja një peshë të padukshme, një hije dyshimi që rëndonte mbi to.
Ishte e qartë – ai nuk më shihte për atë që kisha ndërtuar me përkushtim, por për atë që përfaqësoja në sytë e tij. Nuk ishte aftësia ime ajo që i dha peshë vendimit të tij, por identiteti im etnik, një etiketë që, në vend se të më afirmonte, më kufizonte në një kornizë të paramenduar.
Në atë çast, ndjeva nevojën urgjente për të vendosur një kufi, një vijë që nuk duhej kaluar. Me qetësi, por edhe me një vendosmëri, i thashë: “Nëse kjo ofertë vjen vetëm si pasojë e përkatësisë sime etnike, atëherë nuk mund ta pranoj. Mbi gjithçka tjetër, dua të vlerësohem për profesionalizmin tim, për aftësitë dhe përkushtimin tim – jo për diçka që nuk ka asnjë lidhje me punën që di dhe dua ta bëj”.
Heshti për një moment. Pastaj duke reflektuar tha: “E kuptoj dhe ke të drejtë”. Në atë çast e dija – nuk po refuzoja një mundësi, por po afirmoja vlerën time si profesionist.
Kjo është përvoja ime personale e dobisë së normalizimit të një individi nga një komunitet që ka prirje të stigmatizohet si kolektiv. Një normalizim që krijon mundësi për të gjithë dhe që duhet të nxitet nga të gjithë.
Sa më shumë normalizim, edhe shoqëror dhe ndërfqinjësor, aq më shumë mund të kemi normalizim edhe ndërkomunitarë. Më shumë zhvillim dhe punësim. Sidomos për ashkalinjtë. Sidomos nga normalizimi midis Kosovës dhe Serbisë.
(Autori është gazetar në televizionin T7 me seli në Prishtinë (Kosovë). Ky publikim u mundësua në kuadër të projektit “Dialogue, Solution, Future”, me mbështetjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës Federale të Gjermanisë, të implementuar nga Iniciativa e Re Sociale (NSI) dhe Instituti për Politika Sociale Musine Kokalari. Përmbajtja e tij është përgjegjësi ekskluzive e Iniciativës së Re Sociale (NSI) dhe Institutit për Politika Sociale Musine Kokalari. Nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës Federale të Gjermanisë).