Veç tërmetit të rëndë që goditi Mianmarin, vendi po përballet me sulme të vazhdueshme ajrore nga Junta ushtarake.
BBC-së i janë dërguar disa imazhe të ndërtesave të dëmtuara në fshatin Naung Lin, shteti Shan, ku luftëtarët e juntës së Mianmarit raportohet se hodhën bomba të premten në mbrëmje.
Junta ushtarake e Mianmarit ka vazhduar të bombardojë pjesë të vendit të shkatërruar nga lufta pas tërmetit të madh atje, i cili ka vrarë më shumë se 1600 njerëz.
OKB-ja i ka përshkruar sulmet si “plotësisht të egra dhe të papranueshme”, shkruan A2 CNN.
Raportuesi Special Tom Andrews i tha BBC-së se nuk ishte “asgjë më pak se e pabesueshme” që ushtria po vazhdonte “të lëshonte bomba kur po përpiqeni të shpëtoni njerëz” pas tërmetit.
Ai i bëri thirrje regjimit ushtarak, i cili mori pushtetin në një grusht shteti gati katër vjet më parë, të ndalojë të gjitha operacionet ushtarake.
“Kushdo që ka ndikim në ushtri duhet të rrisë presionin dhe ta bëjë shumë të qartë se kjo nuk është e pranueshme,” tha ai.
“Unë i bëj thirrje juntës që thjesht të ndalojë, të ndalojë çdo operacion të saj ushtarak,” shtoi ai.
Grupet rebele pro-demokracisë që po luftojnë për të hequr ushtrinë nga pushteti kanë raportuar bombardime ajrore në qytezën Chang-U në rajonin veriperëndimor Sagaing, epiqendra e tërmetit. Ka gjithashtu raporte për sulme ajrore në rajone pranë kufirit me Tajlandën.