Një koalicion i gjerë organizatash ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, sindikatash dhe grupesh të tifozëve kanë kritikuar ashpër FIFA-n, duke kërkuar veprime konkrete për mbrojtjen e punëtorëve, sportistëve, tifozëve, gazetarëve dhe komuniteteve lokale gjatë Kupës së Botës 2026, që do të zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë.
Reagimi vjen teksa FIFA po përgatitet të mbajë shortin e Botërorit në Uashington dhe të ndajë çmimin e ri “FIFA Peace Prize”, një proces për të cilin organizatat thonë se mungon transparenca.
Koalicioni – i përbërë nga Amnesty International, Human Rights Watch, AFL-CIO, ACLU, NAACP, Athlete Ally, Reporters Without Borders dhe të tjerë – paralajmëron se situata e përkeqësuar e të drejtave të njeriut në SHBA, kufizimet ndaj gazetarëve, kërcënimet ndaj migrantëve dhe anulimi i mesazheve antidiskriminuese nga FIFA rrezikojnë të cenojnë garën.
Organizatat kërkojnë nga FIFA dhe qytetet pritëse të:
Rikthejnë fushatat kundër racizmit dhe diskriminimit;
Garantojnë mbrojtjen e migrantëve dhe ndalimin e kontrolleve të padrejta nga autoritetet;
Sigurojnë lirinë e mediave dhe të drejtën e protestës;
Miratojnë një politikë zyrtare për mbrojtjen e fëmijëve;
Përfshijnë komunitetet lokale në vendimmarrje dhe të shmangin shpërnguljet e detyruara të banorëve të brishtë;
Përmirësojnë kushtet e punëtorëve që e bëjnë turneun të mundur.
Organizatat thonë se Botërori 2026 është një mundësi historike për FIFA-n që të tregojë se prioritetet e saj për të drejtat e njeriut nuk janë vetëm deklarata, por standarde që zbatohen në praktikë. /GazetaExpress