string(129) "osmani-do-te-vij-ne-kosove-ishte-premtimi-i-papa-franceskut-populli-i-kosoves-i-eshte-mirenjohes-per-kujdesin-qe-tregoi-ndaj-nesh"

Osmani: “Do të vij në Kosovë”, ishte premtimi i Papa Françeskut, populli i Kosovës i është mirënjohës për kujdesin që tregoi ndaj nesh

Lajme

Gazeta Express

21/04/2025 11:29

Presidentja Vjosa Osmani shkroi edhe në Facebook për vdekjen e Papa Françeskut.

Ajo kujtoi disa fjalë të Papës, gjatë vizitës që ajo kishte në Selinë e Shenjtë.

Lexo Edhe:

“”Do të vij në Kosovë”, ishte premtimi i Papa Françeskut gjatë audiencës që kisha me të në Selinë e Shenjtë, duke treguar sa shumë dashuri kishte për vendet më të vogla, sidomos për popullin e përvuajtur të Kosovës. Këtë vizitë, fatkeqësisht nuk arriti ta realizojë, sepse Shenjtëria e Tij, Papa Françesku kaloi në amshim, por do të kujtohet si një udhëheqës shpirtëror që me përulësinë, mençurinë dhe dashurinë e tij të pakufishme i dha botës një shembull të rrallë njerëzie dhe shërbimi”, shkroi Osmani.

Ajo tha se “Papa Françesku do të kujtohet si Papa i paqes, i të varfërve dhe i dialogut ndërfetar, një figurë që i dha forcë fjalës së dhembshurisë dhe e jetoi misionin e tij me guxim e përkushtim”.

“Populli i Kosovës do t’i jetë gjithmonë mirënjohës për fjalët e ngrohta dhe kujdesin e vazhdueshëm që Papa Françesku tregoi ndaj nesh. Ai ishte një zë që i dha rëndësi vuajtjes së të pafajshmëve dhe shpresës për një të ardhme më të ndritur”, shkroi Osmani.

Presidentja i shprehu ngushëllime Kishës Katolike dhe mbarë njerëzimit për vdekjen e Papa Françeskut.

“Në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për këtë humbje të madhe për Kishën Katolike dhe për mbarë njerëzimin. Mendimet dhe lutjet tona janë me besimtarët katolikë në mbarë botën. U prehtë në paqe shpirti i Shenjtërisë së Tij!”.