Në përgjigje të deklaratës së ministrit Hekuran Muratit, zëdhënesi i i Presidentes Vjosa Osmani, Bekim Kupina, e ka kritikuar ashpër ministrin e Financave, duke e akuzuar për mungesë serioziteti dhe respekti institucional.
“Hekuran Murati është njeriu i fundit në këtë shtet që mund të na flasë për seriozitet. Një njeri që ende nuk e ka kuptuar që udhëheqja e shtetit është punë 24/7, e jo që përfundon në orën 16:00, një njeri që ende nuk e kupton që sipas Kushtetutës dhe komentarit të Kushtetutës, objektivat e politikës së jashtme i përcakton institucioni i Presidencës. Është e turpshme, skandaloze, me mungesë të respektit bazik institucional e me mungesë të njohurive bazike se si udhëhiqet shteti, deklarata e tij e sotme,” ka shkruar Kupina.
Ai gjithashtu ka kërkuar që tarifat ndaj produkteve amerikane të hiqen menjëherë dhe e ka quajtur reagimin e Muratit si të paarsyeshëm dhe të dëmshëm për raportet me aleatin kryesor të Kosovës.
Kjo përplasje mes institucioneve të larta shtetërore vjen pas kërkesës së Presidentes Osmani për të pezulluar tarifat ndaj produkteve amerikane, duke e cilësuar këtë hap si një mundësi për forcimin e partneritetit ekonomik dhe politik mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Theksojmë se pak minuta më parë Murati, i është kundërpërgjigjur kërkesës së Presidentes Vjosa Osmani për pezullimin e tarifave ndaj produkteve amerikane, duke e kritikuar publikimin e menjëhershëm të kërkesës dhe duke theksuar se këto çështje duhet të trajtohen larg mediave.
“Sot pas orarit të rregullt të punës, në lajme lexova që Presidentja e vendit i paska bërë kërkesë Qeverisë që të pezullojë tarifat ndaj produkteve me origjinë nga ShBA-të. Kërkesa në email ishte dërguar në adresë të Qeverisë në 17:39, ndërkaq kjo gjë ishte bërë publike në rrjetin social X në 17:42, veç 3 minuta më vonë. Secili shtet serioz, këto çështje i trajton larg mediave, dhe publiku njoftohet kur të merret vendimi,” ka shkruar Murati.
Ai shtoi se Qeveria e Kosovës ka qenë duke shqyrtuar këtë çështje prej kohësh dhe se një marrëveshje për tregti të lirë me SHBA-të është diskutuar edhe në takimet e mëparshme në Washington DC dhe me përfaqësuesit amerikanë në Prishtinë.